Mes pasigurisë ushqimore, Pakistani raporton të korra rekorde të grurit
Një fermer pakistanez duke bartur tufa me grurë gjatë sezonit të korrjes në një fshat në periferi të Peshavarit, në Pakistan. 4 maj 2023.
Rendimenti më i lartë i grurit në një dekadë në Pakistan është një lehtësim dhe është mirëpritur nga Qeveria e vendit, e cila po përballet me pasiguri ekonomike, politike dhe ushqimore.
Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, njoftoi përmes mediave sociale më 30 prill se vendi i tij kishte arritur një korrje "rekorde" të grurit, që arrin në 27.5 milionë tonë metrikë.
Njoftimi u bë në kohën kur Pakistani po përballet me inflacion rekord dhe po përpiqet të shmangë mospagimin e një borxhi, teksa po rimëkëmbet nga përmbytjet e verës së kaluar, të cilat vranë 1.379 njerëz dhe shkaktuan dëme në vlerë prej 30 miliardë dollarësh.
Në tregjet globale, çmimet e drithërave, bulmetit dhe produkteve të tjera bujqësore kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme nga nivelet rekorde. Por, shpesh kjo rënie nuk është vërejtur te tregtarët, shitësit ambulantë dhe familjet që përpiqen ta përballojnë jetesën.
Çmimet e ushqimeve ishin veçse të larta kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit të kaluar, duke ndërprerë tregtinë e drithërave dhe plehrave, dhe duke i rritur çmimet edhe më shumë. Por, në shkallë globale kjo rritje e çmimeve përfundoi kohë më parë.
Sipas OKB-së, çmimet e ushqimeve janë ulur për një vit të plotë për falë rendimenteve të larta të korrje-shirjeve në vende si Brazili dhe Rusia, dhe një marrëveshjeje të kohës së luftës [mes Rusisë dhe Ukrainës] për të lejuar furnizimet me drithëra nga Deti i Zi.
Tregjet ushqimore janë aq të ndërlidhura sa "kudo që jeni, ju e vëreni efektin nëse çmimet globale rriten", tha Ian Mitchell, një ekonomist dhe drejtor i programit të Evropës në Qendrën për Zhvillimin Global me seli në Londër.
Fermerët pakistanezë klasifikojnë kokrrat e grurit që kanë mbledhur, pasi ato janë shkundur gjatë procesit të korrjes në një fshat në periferi të Peshavarit.
Qendra Uilson, një institut kërkimor jopartiak, raportoi më 6 mars se 77 milionë pakistanezë janë të uritur dhe 45 milionë të tjerë janë të kequshqyer.
Megjithëse Pakistani renditet ndër 10 vendet më të mëdha prodhuese të grurit, inflacioni ka shkatërruar fuqinë blerëse me rup, duke rezultuar në çmime rekord për perimet, fasulet, orizin dhe grurin.
Banka Qendrore e Pakistanit rriti normën bazë të interesit për 100 pikë bazë - në 21 për qind, më 4 prill, duke i çuar kostot e huamarrjes në nivelin më të lartë që nga viti 1992.
Një punëtor u shpërndan falas roti tradicionale [bukë] njerëzve në nevojë në një restorant në Peshavar, më 16 prill.
Sipas Indeksit Global të Urisë 2021, nga 107 vende, Pakistani renditet i 92-ti, duke treguar shkallë "serioze" të urisë. Qeveria e Pakistanit ka ndërmarrë disa iniciativa për të trajtuar pasigurinë ushqimore, megjithatë ajo mbetet një sfidë e rëndësishme.