Panelet diellore kineze rrezikojnë ta zhysin Pakistanin në borxh

Your browser doesn’t support HTML5

Teksa udhëheqësit botërorë mblidhen në kryeqytetin e Azerbajxhanit në konferencën vjetore të klimës të Kombeve të Bashkuara për të planifikuar largimin nga karburantet fosile, politikëbërësit po ashtu do të adresojnë një pengesë të parashikuar që mund të sjellë tranzicioni në energji të gjelbër.

Një skenar i tillë po aplikohet në Pakistan, ku rritja e çmimeve të energjisë elektrike e ka bërë furnizimin shtetëror me energji ndër më të shtrenjtit në Azinë Jugore dhe ka shtyrë amvisëritë dhe bizneset që të gjejnë lehtësim nga rritja e çmimeve duke përdorur panelet diellore kineze, që janë të lira.

Por, vërshimi i tregut me panelet diellore super të lira – Pakistani ka blerë panele diellore të prodhuara në Kinë në vlerë prej 1.4 miliard dollarësh dhe u bë blerësi i tretë më i madh në botë në gjysmën e parë të vitit 2024 – rrezikon po ashtu të përkeqësojë situatën në sektorin e dërmuar të energjisë në Pakistan, pasi borxhi tejkalon shifrën prej 9 miliardë dollarësh dhe rënia e konsumit nga rrjeti i brendshëm energjetik mund ta çojë këtë sektor drejt një krize të re fiskale.

Panele diellore në Jakobabad të Pakistanit. Maj 2024.

Për Naser Khan, pronar i një biznesi të vogël që vjen nga qyteza veriore e Jar Husainit, kalimi në energji diellore ka ulur kostot e larta të energjisë që tkurrën financat e tij viteve të fundit. Ky burim i energjisë së gjelbër ka ulur shpenzimet e tij mujore për gati një të tretën, krahasuar me sa paguante pesë vjet më parë para se të kishte rritje të çmimeve si pasojë e rritjes globale të çmimeve të mallrave. Këto kursime, tha ai, u kanë rënë në sy fqinjëve të tij dhe madje edhe kushëririt të tij, në shtëpinë e të cilit ai po ndihmon që të instalohen panele diellore të prodhuara në Kinë.

“Tarifat shtetërore të energjisë janë bërë të papërballueshme për konsumatorët”, tha Khan për Radion Evropa e Lirë. “Pra, të gjithë ata që kanë para, tani po kalojnë në energji diellore”.

Khan dhe fqinjët e tij në Jar Husain nuk janë të vetmit. Në mbarë vendin që ka 240 milionë banorë, panelet vezulluese ngjyrë blu mbulojnë çatitë e qyteteve dhe mbulojnë ndërtesat e fabrikave. Me syninim që të shpëtojnë nga ndikimi i rritjes së tarifave shtetërore të energjisë, pakistanezët po i përdorin në mënyrë masive panelet diellore.

Përderisa ky mund të jetë një lajm i mirë për mjedisin dhe përpjekjet globale për të adoptuar forma më të pastra të prodhimit të energjisë, ndryshimi mund të sjellë kokëdhimbje të reja për Qeverinë pasi kërkesa për energji nga rrjeti shtetëror i energjisë tkurret dhe Islamabadi përballet me perspektivë të dobët financiare dhe me rënie të të ardhurave.

Protestuesit në Karaçi duke protestuar në korrik kundër çmimeve të rritura të energjisë.

Kaiser Bengali, ekonomist që punon si këshilltar i kryeministrit të provincës Sind në juglindje të Pakistanit, tha se fluksi i paneleve kineze ka shkaktuar një episod të “borxhit vicioz”, pasi ata që kanë mbetur të varur nga një rrjet i shtrenjtë shtetëror i energjisë duhet të zgjedhin midis asaj që të kursejnë para për të kaluar në energji diellore ose që të refuzojnë të paguajnë faturat e tyre. Opsioni i dytë më pas do të mund të shkaktonte një zinxhir borxhesh të papaguara nga një kompani qeveritare në tjetrën.

“Kjo do të thotë se ekziston një kompani e furnizimit me ujë që po na siguron ujë dhe, natyrisht, ajo e përdor energjinë, sepse uji duhet të pompohet”, tha Bengali për Radion Evropa e Lirë. “Por, nëse njerëzit nuk i paguajnë faturat e tyre të ujit, atëherë kompania e ujit nuk mund ta paguajë kompaninë e energjisë elektrike. Dhe, për shkak se kompania e energjisë elektrike po përdor gaz, ata nuk mund ta paguajnë kompaninë e gazit, e kështu me radhë”.

Konsumi i energjisë elektrike nga rrjeti kombëtar ra për 10 për qind më 2023 krahasuar me vitin paraprak, në mes të rritjes së çmimeve të energjisë dhe kjo rënie mund të thellohet pasi Islamabadi përballet me presion që të rrisë çmimet e rrymës për të balancuar buxhetin, me qëllim që të shlyhet një kredi e marrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Pakistanezët kërkojnë alternativa

Në gjithë këtë situatën, pakistanezët po përshtaten sa po munden.

Nuk është e qartë saktësisht se sa njerëz po kalojnë në panele diellore si një burim alternativ për energjinë elektrike. Disa familje kanë zgjedhur struktura të thjeshta për nevojat e tyre, ndërsa të tjerët kanë investuar shuma të mëdha parash me shpresën se do t’i shesin energji rrjetit kombëtar.

Abrar Khan, nga qarku Svabi në provincën Kiber Paktunkva, tha se ai ka instaluar sisteme të paneleve diellore në shtëpi dhe biznese për 20 vjet, por kriza e energjisë dhe rënia e besimit në aftësinë e Qeverisë për ta zgjidhur atë, ka shkaktuar një rritje të madhe të kërkesës për instalime të sistemeve të tilla.

“Konsumatorët vendas dhe industrialë janë ngopur me tarifa të larta dhe ndërprerje të shpeshta të energjisë”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “Dhe, kjo është arsyeja se pse këtë vit dhe vitin e kaluar kërkesa për sisteme diellore është rritur jashtëzakonisht”.

Punëtorët duke instaluar panele diellore të prodhimit kinez në Kiber Pakhtukva.

Rrënjët e krizës në sektorin e energjisë të Pakistanit datojnë dekada më parë, por kriza u thellua më 1994 kur Islamabadi ofroi një marrëveshje fitimprurëse për investitorët e huaj për ndërtimin e termocentraleve, ndërsa Qeveria dhe popullsia e tij që u rrit shpejt, ndoqën rritjen ekonomike.

Të quajtur prodhues të pavarur të energjisë, këta operatorë siguruan dispozita liberale nga Qeveria në formë të kthimeve të mbështetura nga shteti, të indeksuara nga dollari dhe u zotuan se do të paguanin edhe energjinë elektrike që do të përdornin.

Financimi më shumë ndodhi në termocentralet me qymyr apo gaz, gjë që bëri që çmimet e energjisë të ishin të lidhura kryesisht me luhatjet në tregun global për lëndët djegëse fosile, teksa tarifat e energjisë elektrike në Pakistan vetëm në tre vjetët e fundit janë mbi dyfish më të larta.

Qeveria, po ashtu, zvogëloi subvencionet dhe kaloi pagesat që ishin bërë për kapacitetet e ngritura nga prodhuesit e energjisë te konsumatorët, një gjë e keqe për pjesën më të madhe të shoqërisë në një vend në zhvillim si Pakistani, ku afërsisht 40 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë, të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara.

Panele diellore të vendosura në një fabrikë në Pakistan.

Grupet industriale ankohen se kostot e energjisë janë dyfishi i atyre që kanë bizneset në Indi dhe Bangladesh dhe disa fabrika janë detyruar të mbyllen.

“Biznesi i kujtdo që po mbijeton – dhe unë jam në mesin e tyre – po mbijeton falë përdorimit të këtyre sistemeve të energjisë diellore”, tha për Radion Evropa e Lirë, Ijaz Bacha, pronar i një fabrike dhe zëdhënës për industrinë e mermerit në provincën Kiber Paktunkva.

Përpunimi i mermerit është një industri e madhe në këtë provincë dhe Bacha tha se 30-40 për qind e prodhuesve në këtë provincë kanë falimentuar gjatë dy vjetëve të fundit.

Bacha tha se faturat e energjisë elektrike për fabrikën e tij kanë rënë ndjeshëm që kur ai kaloi në energji diellore dhe fatura e tij mujore shkon nga 2 milionë rupi (7.300 dollarë) në 1.2 milion rupi (4.300 dollarë). Ai shtoi se këto kursime e kanë mbajtur biznesin e tij në këmbë, por arriti të kursente vetëm falë një investimi prej 25 milionë rupish (90.000 dollarë), një shumë parash që shumë pronarë biznesesh në Pakistan do ta kishin të vështirë ta mblidhnin.

“Unë besoj se në vitin e ardhshëm, shumica e industrive [në Pakistan] do të kalojë në energji diellore sepse pa të, mbijetesa është e pamundur”, tha Bacha.

Përballja me pasigurinë

Në navigimin me problemet që ndërthuren me borxhin dhe energjinë, konsumatorët thanë se këto probleme kanë të bëjnë me një përplasje politike.

Më 2017, Pakistani nisi një sistem për “matjen neto”, ku njerëzit mund të shesin energjinë e tepërt që prodhojnë nga panelet e tyre diellore te rrjeti kombëtar. Por, në mars të vitit 2024, Qeveria tha se donte që t’i jepte fund politikës të matjes neto për të përmbushur kriterin e FMN-së për shpenzimet shtetërore, ndërsa përpiqet të stabilizojë ekonominë e saj.

Një treg lokal në Karaçi i përfshirë nga errësira pasi shumica e Pakistanit u përball me ndërprerje të energjisë elektrike në janar të vitit 2023.

Pavarësisht shqetësimit nga Qeveria federale, qeveritë provinciale të Punxhabit – ku jeton më shumë se gjysma e popullsisë së vendit – dhe Sindit (me më shumë se 50 milionë banorë) tani po ofrojnë panele diellore falas ose të subvencionuara për të ndihmuar familjet me të ardhura të ulëta.

Qeveria federale, po ashtu, po rinegocion borxhet, me shpresën që të stabilizojë rrjetin elektrik dhe të ulë varësinë nga karburantet fosile.

Ministri i Energjisë i Pakistanit, Awais Leghari, në shtator i tha Financial Times se Qeveria është duke negociuar sërish me investitorët kinezë dhe ata vendas për borxhet e sektorit të energjisë dhe është duke eksploruar mënyra për t'i privatizuar disa kompani.

Por, ministri gjithashtu shprehu shqetësimin se interesi dhe përdorimi i vazhdueshëm i paneleve diellore rrezikon ta bëjë rrjetin shtetëror elektrik “të papërballueshëm” për shkak të humbjes së vazhdueshme të klientëve që paguajnë.

“Kërkesa po tkurret. Ky është shqetësim i madh për ne”, tha ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku