Maqedonia e Veriut nuk ka arritur t’i kthejë turistët e huaj, të cilët mbushnin kapacitetet turistike gjatë festave të fundvitit. Masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, si dhe çmimet e larta, i kanë larguar edhe turistët vendorë për të kaluar disa ditë pushimi në qendrat turistike.
“Kemi vendosur që të mos shkojmë askund, por të qëndrojmë në shtëpi. Ka shumë arsye se pse e morëm këtë vendim si familje, por më kryesorja është gjendja me pandeminë, e cila nuk dimë se si do të shkojë tani me Omicronin, do të përkeqësohet ose jo. Si nënë e katër fëmijëve e kam shumë të vështirë t’i koordinoj që të gjithë të mbajnë distancë në përputhje me protokollet për mbrojtje nga virusi COVID-19”, thotë Nora nga Shkupi.
SHIKONI EDHE: Pandemia solli edhe shtrenjtimin e ushqimitEdhe Dejan Angellovski, 20-vjeçar nga Shkupi, thotë se do të festojë me shokët në bujtinën e njërit prej tyre. Ai thotë se për të mbeten të papërballueshme çmimet në objektet hotelerisë, të cilat, siç thotë, janë të larta kundrejt shërbimeve që ofrojnë.
“Disa ditë do të qëndrojmë në bujtinën e një miku në Mavrovë. Atje vetë do të kujdesemi për ushqimin, sepse në restorante çmimet kanë shkuar shumë lart. Vetëm për një hamburger në Mavrovë duhet të paguash 250 e denarë (rreth 4.2 euro)”, thotë Dejani.
Nga Asociacioni i Hotelierëve, në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, thonë se rritja e çmimeve të produkteve ushqimore e ka imponuar edhe rritjen e çmimit të akomodimit.
Kryetari i Asociacionit të Hotelierëve, Kërste Bllazhevski, thotë për Radion Evropa e Lirë se rritja e çmimeve nuk do të ndikojë në uljen e rezervimeve nga ana e turistëve, qofshin ata vendorë apo të huaj, por është pandemia, përkatësisht masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit që dekurajojnë turistët të rezervojnë disa ditë pushimi në qendrat turistike të Maqedonisë së Veriut.
SHIKONI EDHE: Pandemia e lë pa turistë Maqedoninë e Veriut“Interesimi i ulët ka të bëjë me pandeminë. Çmimet janë korrekte, megjithëse janë shënuar rritje minimale për festat e fundvitit - flas për rajonin e Ohrit dhe atë të Strugës. Kapacitetet hoteliere në bregun e liqenit të Ohrit, gjatë festave të fundvitit kryesisht plotësoheshin nga mysafirë jashtë vendit, përkatësisht nga vendet e rajonit, si Bullgaria, Serbia, Greqia, Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria, por tani interesimi është shumë i ulët. Nëse më herët një agjenci turistike sillte pesë autobusë, tani mezi arrin të organizojë ardhjen e një autobusi me turistë të huaj dhe kjo s’ka të bëjë me çmimet, por me gjendjen me pandeminë”, thotë Bllazhevski.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, çmimet e shërbimeve në sektorin e hotelerisë janë rritur për 0,5 për qind nga nëntori, ndërkohë krahasuar me vitin e kaluar kjo rritje është për 1.2 për qind.
Nga Agjencia për Mbështetjen dhe Promovimin e Turizmit në Maqedoninë e Veriut, thonë se interesimi më i madh gjatë festave të fundvitit mbetet për qendrat turistike malore, si Kodra e Diellit, Mavrova, Krusheva etj. Numri i turistëve gjatë këtij viti është rritur për 40 deri 50 për qind krahasuar me një vit më herët.
SHIKONI EDHE: Sektori i hotelerisë pëson humbje të mëdha nga koronavirusiHotelierët thonë se ende nuk mund të flitet për plotësim të kapaciteteve sikurse para pandemisë gjatë sezonit të skijimit.
Hajrulla Hasani, i cili drejton një kompleks të hotelerisë në Kodrën e Diellit në Tetovë, thotë se ndihet mungesa e organizimit të shumë evenimenteve gjatë festave të fundvitit nga shumë ndërmarrje, gjë që ka qenë praktikë gjatë kësaj periudhe kohore.
“Në raport me evenimentet që organizohen për festat e fundvitit nga kolektivet, janë të reduktuara për shkak të kushteve me pandeminë. Kjo e bën të papërballueshëm funksionimin gjatë ditëve të javës kur nuk kemi turistë. Kapacitetet tona mbeten të ngarkuara vetëm gjatë ditëve të vikendit”, thotë Hasani.
Ai shton se sektori i hotelerisë në këtë kohë mbetet i goditur dhe për faktin se shumë takime dhe seminare, për shkak të pandemisë, mbahen online duke i lënë pa punë objektet hoteliere.
SHIKONI EDHE: OKB: Turizmi global humbi 320 miliardë dollarë në pesë muajNga ana tjetër, drejtori i Agjencisë për Mbështetjen dhe Promovimin e Turizmit, Lubço Janevski, thotë për Radion Evropa e Lirë, se duhet fokusuar në rritjen e cilësisë së shërbimeve për t'i kënaqur nevojat e klientëve të huaj.
“Na duhet të punojmë për ngritjen e cilësisë së shërbimeve, sepse nëse klientët janë të kënaqur, për ta nuk paraqesin problem çmimet - flas për turistët e huaj që zakonisht janë nga Polonia, Holanda Belgjika etj”, thotë Janevski.
Për t’i amortizuar humbjet që ka shënuar sektori i hotelerisë dhe ai i gastronomisë, për qytetarët me të ardhura më të ulëta Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë kuponë në vlerë prej 100 eurosh, të cilët mund t’i shfrytëzojnë në qendrat turistike të vendit.
Nga Asociacioni i Hotelierëve thonë se kjo masë e ka ndihmuar sektorin e turizmit, por shtojnë se shteti ka dështuar të promovojë vendin si destinacion i sigurt turistik nga virusi COVID-19 për turistët e huaj, të cilët janë drejtuar në vise të tjera dhe vështirë mund të rikthehen në Maqedoninë e Veriut.