Pacolli në Shkup kërkon mbështetje për UNESCO

Behgjet Pacolli dhe Nikolla Dimitrov

Shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli është takuar të mërkurën në Shkup me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov, në përpjekje për të siguruar mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

I pyetur se çfarë qëndrimi do të mbajë Maqedonia rreth kësaj çështjeje, ministri Dimitrov ka thënë se në funksion të ardhmes së përbashkët të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, nuk mund të mbahet anë, madje edhe për çështje të këtilla delikate.

Sipas tij, një ditë do të duhet të gjithë të gjenden në një anë të vetme dhe njëherësh për të gjitha vendet do të jetë më e lehtë dhe më e shkurtër rruga e integrimit.

Siç e dini, vendimi për aplikim në UNESCO është shtyrë për një kohë të caktuar. Maqedonia këtë çështje është duke e trajtuar me një vëmendje të theksuar sepse tangon interesat e dy vendeve tona fqinje”.

Ne si shtet nuk do të luajmë rol kyç në atë proces, dhe pasi të vjen në rend dite do ta kemi parasysh interesin e miqve tanë nga Kosova, ndoshta edhe mund të ketë ndonjë marrëveshje paraprake për këtë çështje. Do të shohim se çfarë do të ndodh, do ta kemi parasysh interesat e miqve tona në Kosovë, do të kemi parasysh edhe interesin e miqve tanë nga Serbia dhe do të sjellim vendim në përputhje të interesave të Maqedonisë, që përfshin edhe interesat e bashkëqytetarëve tanë që janë pjesëtarë të bashkësisë shqiptare”, ka theksuar ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.

Në këtë drejtim, shefi i diplomacisë kosovare Behgjet Pacolli ka theksuar se anëtarësimi i Maqedonisë në familjen evropiane është në interes të Kosovës si shtet, për perspektivat e saj euroatlantike.

Anëtarësimi i Maqedonisë në BE praktikisht e limiton një rrezikshmëri shumë të madhe edhe për Kosovën, dhe i sjell Kosovës një komoditet shumë të madh në sigurinë e saj”.

Çdo herë që do të jetë nevoja ne do të jemi aty, Kosova ka interes të madh që të integrohet me Maqedoninë për aspiratat e saja evropiane. Unë edhe në takimin tim në Bruksel, në takim me komisionerin Johannes Hahn dhe Federica Mogherinin kam shprehur zhgënjimin për pozitën e Kosovës. Kjo çështje është se ta mbështesim Maqedoninë në nismat e saja sepse ajo tashmë ka rrugëtim të gjatë në këtë fushë, dhe aty ku mundemi do të ngremë zërin për Maqedoninë, ashtu si Maqedonia e ka bërë deri vonë për Kosovën”, ka nënvizuar shefi i diplomacisë kosovare Behgjet Pacolli.

Pacolli njëherësh tha se vlerëson çdo iniciativë që çon kah avancimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Maqedonisë, duke u fokusuar në aspektin ekonomik, krijimin e një zone të përbashkët ekonomike mes dy vendeve. Ai për këtë çështje, vuri theksin mbi bashkëpunimin në infrastrukturë dhe bashkëpunimin energjetik.

Krijimi i një zone të lirë ekonomike ndërmjet dy vendeve, Maqedonisë dhe Kosovës është e nevojshme, gjë që do të ndihmojë ndërmarrësit por edhe buxhetet e dy shteteve”, është shprehur Pacolli.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli është shprehur optimist se viti 2018 do të jetë një vit që do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Në takimin mes shefave të diplomacisë së Maqedonisë dhe Kosovës është diskutuar dhe mbajtja e një mbledhje të përbashkët qeveritare në janar të vitit të ardhshëm.

Zëvendëskryeministri Pacolli gjatë ditës ka realizuar takime dhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, si dhe me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev.