Rritet numri i pacientëve me COVID-19 në kujdesin intensiv

Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare. Prishtinë, 1 shtator 2021.

Shërbimi Spitalor Klinik Univeristar (SHSKUK) njofton se 79 pacientë me koronavirus janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ky numër është më i lartë krahasuar me një ditë më parë, ku në spitale dhe klinika ku trajtohen pacientët me COVID-19, 69 pacientë ishin në kujdes intensiv.

Sipas raportit ditor të datës 3 shtator, në spitalet dhe klinikat ku trajtohen pacientët me COVID-19 janë të shtrirë 1.209 pacientë.

“Nga numri i përgjithshëm i pacientëve, 1.102 janë të konfirmuar me COVID-19 pozitivë, 1.019 me oksigjenoterapi dhe 79 në gjendje të rënduar shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Në klinikat e Qendrës Klinike Universitare po trajtohen 405 persona të konfirmuar me koronavirus, ku numri më i madh i pacientëve po trajtohen në Klinikën Infektive, përkatësisht 114 pacientë.

Ndërkaq, nga spitalet rajonale, spitali i Pejës ka numrin më të lartë të pacientëve, përkatësisht aty po trajtohen 212 pacientë.

Javëve të fundit, Kosova ka shënuar rritje të madhe të numrit të viktimave dhe rasteve të reja. Vetëm gjatë shtatë ditëve të fundit 170 persona të infektuar me koronavirus, kanë ndërruar jetë.