Pa opozitën, Maqedonia ratifikon sërish Marrëveshjen për emrin

Ligjvënësit urojnë kryeministrin Zoran Zaev dhe ministrin e Jashtëm, Nikolla Dimitrov pas ratifikimit në Kuvend të Marrëveshjes për emrin. Shkup, 20 qershor, 2018.

Kuvendi i Maqedonisë sërish ka ratifikuar Marrëveshjen për emrin me Greqinë, pasi votimi i parë ka dështuar për shkak të refuzimit të presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov për ta dekretuar ligjin.

Edhe votimi i së enjtes ka kaluar me 69 vota për, dhe vetëm një votë të përmbajtur, ndërkohë nuk ka pas asnjë votë kundër, pasi në seancën parlamentare nuk ishin të pranishëm deputetët e opozitës maqedonase VMRO-DPMNE-së.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka thënë se “presidenti Ivanov është i obliguar me Kushtetutë që kësaj radhe ta dekretojë ligjin, në të kundërtën ai bënë shkelje ligjore”.

Xhaferi ka paralajmëruar se ligjin do ta dërgojë për publikim në “Gazetën Zyrtare” pa firmën e kreut të shtetit, sikur edhe Ligjin për gjuhën shqipe, që gjithashtu dy herë është miratuar në Kuvend për shkak të refuzimit të presidentit për ta dekretuar.

Edhe shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov i ka bërë thirrje presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov që të dekretojë Marrëveshjen për emrin, pasi sipas tij nuk qëndrojnë pretendimet e presidentit Ivanov se kjo marrëveshje është antikushtetuese.

Dimitrov tha se nuk mbrohet Kushtetuta duke e shkelur atë.

“Pika e parë është më përmbajtjesore, pasi aty thuhet se nuk mund të pranohen ide dhe propozime që rrezikojnë identitetin nacional maqedon. Unë dua t’ju bind se asnjë anëtar i Qeverisë, as kryeministri, e askush tjetër nuk do të pranojë ide të tilla. Marrëveshja jo vetëm që nuk e rrezikon identitetin, gjuhën dhe gjithçka që ka të bëjë me veçoritë maqedonase, por përkundrazi i forcon edhe më shumë”, u shpreh ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Por, pavarësisht kësaj, opozita ka paralajmëruar padi penale ndaj të gjithë tyre që pretendon se kanë “tradhtuar interesat nacionale maqedonase”.

“VMRO DPMNE nuk do të bëhet pjesë e kapitulimit.Nuk do të marrim pjesë në seancën ku miratohet kjo marrëveshje aq e dëmshme për ndryshimin e emrit të shtetit dhe prek idenitein e maqedonaseve”, tha Sekretari i Përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së Igor Janushev.

Ndryshe, partitë shqiptare votuan marrëveshjen me të cilën sipas tyre zhbllokohet procesi eurointegrues. Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti pas votimit tha se kemi të bëjmë me një process të cilin askush nuk mundet ta ndalë.

“Ky është një proces i pandalshëm”, tha Ahmeti.

Në bazë të marrëveshjes Maqedoni - Greqi synohet t’i jepet fund kontestit mes dy vendeve fqinje që zgjatë më shumë se dy dekata e gjysëm për çështjen e emrit, në bazë të cilës shteti emërohet Maqedonia e Veriut.