Pa buxhet dhe pa para për zgjedhje të reja 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Votimi i Projektligjit për buxhetin e vitit 2021 ka mbetur peng i situatës së re të krijuar në Kosovë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e konsideroi zgjedhjen e qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, jokushtetuese. Ky vendim e çon Kosovën në zgjedhje të parakohshme, aktualisht pa mjete për realizimin e tyre.

Projektligji për ndarje buxhetore është sjell në kuvend nga ana e qeverisë dhe ndodhet në shqyrtim të Komisionit për buxhet dhe transfere në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji për buxhetin për vitin e ardhshëm është projektuar në vlerë prej 2.4 miliardë euro.

Në bazë të procedurave ligjore, afati përfundimtar kur duhet të miratohet Projektbuxheti për vitin 2021 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, është data 31 dhjetor.

Nëse buxheti nuk miratohet deri në këtë datë, në bazë të procedurave ligjore, kuvendi me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal.

Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, pas një takimi me komunitetin e biznesit në vend, ka thënë se është në komunikim të vazhdueshëm me grupet parlamentare dhe se po angazhohet maksimalisht që përbërja aktuale e kuvendit të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm.

KQZ: Nuk ka para për zgjedhje

Në anën tjeter, zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se aktualisht nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për procesin zgjedhor, i cili nuk është i planifikuar.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë është në pritje të vendimit që shpall datën e zgjedhjeve në mënyrë që të fillojë me përgatitjet intensive për organizimin e këtyre zgjedhjeve. KQZ-ja do të përgatisë me kohë kërkesën buxhetore të cilën do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës, në kohën kur shpallen këto zgjedhje”, tha Elezi.

Buxheti për organizimin dhe mbajtjen e procesit zgjedhor në vitin 2019 ishte rreth 6 milionë euro.

Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi thotë për Radion Evropa e Lirë së është mirë që kuvendi aktual jo vetëm për shkak të zgjedhjeve, por që të mos ketë edhe bllokadë buxhetore, të miratojë buxhetin për vitin 2021.

SHIKONI EDHE: Mosmiratimi i buxhetit bllokon shtetin

“Të gjitha ndarjet buxhetore mbyllen më 31 dhjetor. Nëse zgjedhjet mbahen vitin e ardhshëm në dymujorin e parë, atëherë mund të ndahen vetëm 16 për qind e shumës së përgjithshme të buxhetit aktual (buxheti 2020) për procesin zgjedhor e që është e pamjaftueshme për të përmbyllur një proces zgjedhor”, thotë ai.

Murati: Buxheti të miratohet nga qeveria e re

Kryetari i Komisionit parlamentar për buxhet dhe transfere, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se buxheti duhet të miratohet nga qeveria e cila do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme.

Ai nuk e sheh asnjë problem për paratë që duhet të ndahen për zgjedhjet e reja.

“Tash e tutje nuk mund të shtyhen përpara vendime dhe buxhete të një qeverie ilegale, kështu që buxheti i ri i mbetet qeverisë pas zgjedhjeve, qeverisë së re që formohet me legjitimitet të plotë. Sa i përket hapësirës për të mbuluar shpenzimet, sipas ligjit parashihet që nëse ka zgjedhje dy muajt e parë mbulohet, kurse muaji mars mund të zgjatet me vendim të kuvendit”, thotë ai.

Që nga viti 2010, asnjë qeveri e Kosovës nuk ka arritur të përfundojë mandatin kushtetues katërvjeçar, çka si pasojë ka imponuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka thënë para gazetarëve se është urgjente që të miratohet Ligji për buxhetin e vitin 2021, para se vendi të shkojë në zgjedhje.

"Duhet të gjejmë fuqi politike që të miratohet buxheti i vitit 2021. Kjo ka peshë për secilën familje në Kosovë, pasi që ky buxhet është i ndërlidhur edhe me Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, është i lidhur me pagat, me sistemin social, pensionet, e gjithsesi nëse na duhet si shtet edhe me blerjen e vaksinave COVID-19”, tha Abrashi.

Cakolli: Buxheti të trajtohet para shpalljes së zgjedhjeve

Analisti Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, institut ky që monitoron punën e kuvendit, thotë se ekziston rreziku real që Kosova të mbetet pa buxhet dhe pa ekzekutimin e pagesave.

Ai thotë se është e rëndësishme që subjektet politike, në takimet që kanë nisur me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin, të trajtojnë edhe çështjen e buxhetit.

SHIKONI EDHE: Përveç LVV-së, partive të tjera “nuk iu konvenojnë zgjedhjet”

“Koha është tejet e limituar. Nëse eventualisht arrihet dakordim për buxhetin duhet të votohet sot apo nesër më së largu, për shkak se në kuptim të funksionimit kushtetues të institucioneve, ushtruesja e detyrës së presidentit nuk do të duhej të prolongonte procesin e shpalljes së zgjedhjeve, pasi që kur bëhet fjalë për formim të institucioneve, nuk duhet të zgjatet procedura e tyre”, thotë Cakolli.

Cakolli shton se me vendimin e gjykatës tash është çështje orësh apo ditësh kur do të shpallen zgjedhjet e reja dhe sipas tij, kjo nënkupton që kuvendi nuk do të ketë autoritetet për t'u mbledhur dhe për të votuar një buxhet për të pasur mjete për organizmin e zgjedhjeve apo ekzekutimin e pagesave tjera si dhe për të marrë vendim për zgjatje të ndarjeve buxhetore.

Ai thotë se bazuar në praktikën e deritanishme të tejzgajtur të konstituimit të institucioneve, atëherë ekziston rreziku që nuk mund të krijohet një qeveri e re brenda muajit shkurt, e cila do të mund të sillte në kuvend Projektligjin për buxhetin.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani të martën ka filluar takimet me përfaqësuesit politikë për të diskutuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.