Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka vlerësuar legjitime veprimet e Policisë së Kosovës, e cila, më 26 maj, u ka mundësuar kryetarëve të rinj të komunave veriore - Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – të hyjnë në objektet e zyrave komunale.
Osmani ka theksuar se “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm” dhe sipas saj “mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj”.
“Veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka shtuar se “qëndrueshmëria, jetëgjatësia dhe suksesi i këtyre veprimeve varen njëkohësisht edhe nga koordinimi me aleatët që ishin dhe mbeten garantues të sovranitetit dhe pavarësisë sonë”.
Kryetarët e rinj shqiptarë u asistuan nga Policia e Kosovës, pasi grupe të banorëve vendas në këto komuna të banuara me shumicë serbe, kundërshtuan shkuarjen e tyre në zyrat që më parë përdoreshin nga zyrtarët serbë.
SHIKONI EDHE: Blinken: Kurti t’i ndalojë menjëherë masat e dhunshmeNjë ditë më herët, ata u betuan në shkolla e ndërtesa të tjera publike të këtyre komunave, për shkaqe sigurie.
Policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën gurë në drejtim të policisë dhe dogjën disa makina.
Veprimet e autoriteteve të Kosovës në komunat në veri i ka dënuar Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që t’i ndalojë menjëherë “masat e dhunshme dhe të ripërqendrohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.