Osmani: Kryetarët e komunave veriore të betohen brenda afateve ligjore

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se e rëndësishme që kryetarët e rinj të katër komunave në veri të Kosovës, të kryejnë betimin brenda afateve ligjore.

Komunat në veri - Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku - janë të banuara me shumicë serbe.

Disa orë pas betimit të Erden Atiqit, si kryetar i Mitrovicës së Veriut, Osmani ka thënë se kryetarët e asaj pjese, duhet t’i bindin qytetarët se projektet do të jenë në të mirë të tyre.

“Shërbimet administrative janë në të mirë të tyre, siguria është në të mirë të tyre. Projektet ekonomike i fuqizojnë ata, pra secili veprim është për të mirën e qytetarëve dhe jo të kundërtën, dhe ne presim që të gjitha këto procedura të shkojnë pa ndonjë problem dhe pa ndonjë tension”.

Sipas presidentes, edhe mbajtja e zgjedhjeve në muajin prill të këtij viti ka qenë obligim ligjor dhe kushtetues.

“Ajo që e ka shtyrë këtë situatë ka qenë dorëheqja e ish- kryetarëve të komunave në veri”, ka thënë Osmani, duke shtuar se bojkotimi i zgjedhjeve nga pjesëtarët e komunitetit serb nuk ka qenë vullnetar, por i detyruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“...dhe është zbatuar nga strukturat e tij ilegale dhe kriminale në veri të Kosovës, të cilat vazhdimisht kanë frikësuar, shantazhuar dhe kërcënuar qytetarët serb në veri”.

Kryetarët e rinj, të gjithë nga partitë shqiptare, janë zgjedhur në zgjedhjet e mbajtura në prill, në komunat veriore – të banuara me shumicë serbe – pas dorëheqjeve të kryetarëve paraprakë, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Këtë proces zgjedhor e kanë bojkotuar një pjesë e mirë e qytetarëve.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, në zgjedhje kanë dalë 1.567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Thirrjet për bojkot i ka bërë Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë - e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

SHIKONI EDHE: Hovenier: Të mos përdoret dhuna për të hyrë në ndërtesat e komunave në veri

Të premten, shtetet e QUINT-it kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill, duke thënë se ato nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjatë për komunat e përfshira, për shkak të bojkotit nga komuniteti serb.

QUINT-i përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, këto shtete u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve “që urgjentisht të punojnë së bashku mes vete të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna”.