Osmani s’u konsultua dhe s’e përkrah letrën e Qeverisë dërguar KiE-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk u konsultua nga Qeveria e Kosovës për një letër të cilën ajo ia dërgoi Këshillit të Evropës (KiE) të mërkurën, ku e njoftoi për qëllimet e Qeverisë për ta hartuar dhe dërguar në Kushtetuese një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, tha këshilltari i saj Bekim Kupina.

Kupina tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se presidentja "nuk e përkrah këtë letër".

“Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës... Kjo letër nuk është e tillë”, tha Kupina për REL të enjten.

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha të enjten në mëngjes se Qeveria ia ka dërguar një letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se Kosova do ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin, dhe se pret nga ai ta pranojë Kosovën si anëtaren më të re këtë javë.

Gërvalla vjen nga partia Guxo, të cilën e kishte udhëhequr Osmani për disa muaj, deri në prill 2021, kur u emërua presidente dhe u largua nga partia, siç kërkon Kushtetuta e vendit.

SHIKONI EDHE: Kosova njofton Këshillin e Evropës se po përgatit draft-statut për Asociacionin

E pyetur nga gazetarët të enjten paradite në një konferencë për media nëse presidentja ishte konsultuar, Gërvalla kishte thënë: “Sa i përket koordinimit mes institucioneve të Kosovës, të jeni të sigurt se është, si rrallë ndonjëherë, në nivel të jashtëzakonshëm”.

“Të jeni të sigurt se edhe presidentja, siç e keni parë, ka qenë bashkënënshkruese e zotimeve dhe kjo letër e sotme nuk është asgjë e re; është vetëm përsëritje”, tha ajo.

Kupina theksoi se letra “mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën”.

“Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tre institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tre institucione”, tha ai.

Njoftimi i Gërvallës për zotimin e Kosovës për ta hartuar dhe dërguar në Kushtetuese një statut për Asociacionin vjen pasi disa vende, si Gjermania dhe Franca, kanë kërkuar nga Kosova që të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit, për t’i bindur qeveritë skeptike që të votojnë në favor të saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Qeveria e Kosovës, fillimisht, e ka refuzuar Asociacionin si kusht.

Asambleja Parlamentare e KiE-së ka votuar për pranimin e Kosovës më 16 prill dhe vendimi përfundimtar ka kaluar te Komiteti i Ministrave, i cili mblidhet më 16 dhe 17 maj.

Kosova nuk pritet të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së më 17 maj, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë.

SHIKONI EDHE: Knaus: Kosova nuk do të jetë në agjendën e KiE-së më 17 maj, letra e saj erdhi vonë

Kupina shtoi se Osmani “gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet” me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, nënvizoi ai.

Të enjten më vonë, Zyra e Presidencës njoftoi se Osmani ka takuar ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

"Në këto takime është diskutuar anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe koordinimi për zhbllokimin e procesit anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Lidhur me këtë proces, Presidentja sot gjatë ditës ka biseduar edhe me ambasadorë të shteteve tjera aleate", thuhet në njoftim.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e quajti “mashtrim dhe përpjekje joserioze” nga Kosova njoftimin se ajo synon ta hartojë një draft-statut për themelimin e Asociacionit dhe tha se ajo nuk mund ta bëjë një gjë të tillë pa pëlqimin e Serbisë.