Osmani: Diskursi nxitës e ka burimin në Serbi dhe Rusi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të hënën se Serbia “është burim i destabilizimit në rajon”, ndërsa ftoi bashkësinë ndërkombëtare që t’i kundërvihet “diskursit nxitës”, që, sipas saj, nuk e ka burimin vetëm në Serbi, por edhe në Rusi.

Në një takim me drejtuesit e institucioneve të sigurisë në Kosovë, Osmani tha se Kosova nuk është duke e provokuar situatën e sigurisë, por duke zbatuar ligjin.

Sipas saj, Policia e Kosovës është duke u kujdesur për sigurinë e të gjithë qytetarëve pa dallim.

Komentet vijnë derisa në veri të Kosovës, tash e tetë ditë, është gjendje e tensionuar.

Disa banorë serbë atje kanë bllokuar vendkalimet kufitare me Serbinë - Jarinjën dhe Bërnjakun - në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur masa reciprociteti ndaj automjeteve me targa të Serbisë.

Me vendimin e Qeverisë, të datës 20 shtator, të gjitha automjetet nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të pajisen me targa të përkohshme.

Për të monitoruar procesin, në kufijtë në veri është vendosur edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.

Masa të ngjashme ndaj automjeteve me targa të Kosovës, Serbia zbaton tash e sa vite.

Por, përfaqësuesit e Serbisë e akuzojnë Kosovën për shkeljen e dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë. Përfaqësuesit e Kosovës, në anën tjetër, thonë se po veprojnë në përputhje me Marrëveshjen.

Për shkak të situatës së krijuar, ushtria serbe është vendosur në gjendje gatishmërie dhe avionët e saj luftarakë kanë fluturuar pranë bllokadave në veri në disa raste gjatë ditëve të fundit.

Të dielën, ambasadori rus në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, dhe i dërguari rus për mbrojtje, Aleksandr Zinchenko, bashkë me ministrin serb të Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Millan Mojsilloviq, kanë vizituar ushtarët serbë, që janë vënë në gjendje të gatishmërisë luftarake në bazën ushtarake të Rudnicës.

Kjo bazë gjendet pranë qytetit të Rashkës në Serbi, rrugës për në pikën kufitare të Jarinjës.

SHIKONI EDHE: Veriu, tensione me shumë kalkulime