I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të martën kanë vazhduar takimet me liderë politikë në Prishtinë.
Ata fillimisht u takuan me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, e cila citohet t’u ketë thënë atyre se vetëm ndëshkimi i grupeve kriminale mund të çojë në një “stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë”.
“Prandaj presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë”, u tha Osmani, sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes.
Osmani u takua me dy përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së më 6 qershor, në ditën e dytë të vizitës së tyre në Prishtinë dhe Beograd.
Ata po vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin në tentim për të gjetur një zgjidhje për qetësimin e situatës në tri komuna në veri të Kosovës - Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
- Për t'u informuar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, përcillni blogun e Radios Evropa e Lirë
Në këto komuna, serbë lokalë po protestojnë rregullisht prej 29 majit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale - të cilët fituan zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.
Një ditë më parë, ata i kërkuan Kurtit qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
SHIKONI EDHE: Escobari dhe Lajçaku me tri kërkesa për KurtinOsmani përmendi mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja gjatë takimit të saj.
“Zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna”, tha Osmani.
SHIKONI EDHE: Edhe Qeveria, edhe serbët me kushte për zgjedhjetEscobar dhe Lajçak u takuan më vonë edhe me përfaqësues të partive opozitare në Kosovë. Pas këtij takimi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se nuk është diskutuar për opsionin e zgjedhjeve.
"Nuk do të spekuloj, pasi që një gjë e tillë nuk është diskutuar deri më tash", shtoi Krasniqi.
Ai gjithashtu tha se nuk i ka parë kurrë më të shqetësuar ndërkombëtaret.
"Zgjidhja e situatës i takon Qeverisë së Kosovës, përgjegjësia i takon asaj", tha Krasniqi pas takimit, duke theksuar se opozita shprehi gatishmërinë të punojë për përmirësimin e marrdhënieve me aleatet si SHBA-ja dhe BE-ja.
Ndërkaq, kryetari i partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se Kosova po futet në një situatë "shqetësuese dhe të paqartë".
"Shqetësuese për shkak të gjendjes së relacioneve që Kosova ka me aleatët e saj, e të paqartë për shkak të mungesës së planit dhe gatishmërisë së kryeministrit të Kosovës [Albin Kurti] për koordinim me aleatët tanë", tha Abdixhiku.
Ai tha se qytetarëve u mbetet të shohin se cilat do të jenë pasojat e raporteve të tilla të shtetit me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n.
"Shpresojë të reflektojë [kryeministri Kurti] dhe sërish i bëj thirrje presidentes që të jetë më e zëshme, më e zëshme në këtë moment kritik", theksoi ai.
I dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, tha se partive opozitare iu shpjeguan "pasojat e krizës aktuale dhe dëmin e reputacionit të Kosovës".
"U kërkuam atyre që të mbështesin zgjidhjen politike për shtensionimin e situatës", tha ai.
Pas takimeve me partitë shqiptare opozitare, emisarët Escobar dhe Lajçak zhvilluan takime edhe me Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në Kosovë.
"Asnjë zgjidhje politike për uljen e tensioneve në veri të Kosovës nuk mund të arrihet pa popullatën e afektuar. Me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe të shoqërisë civile, ne theksuam nevojën për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e reja", shkroi Lajçak në Twitter.
Ndërkaq, Lista Serbe tha se ka përsërëritur kërkesat "e popullit serb, të cilët kanë protestuar në mënyrë paqësore" në veri të Kosovës.
Më vonë, Escobar dhe Lajçak do të udhëtojnë drejt Beogradit, ku, sipas njoftimeve, në orën 18:30 do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.