Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të martën se “Kosova është duke u sulmuar” dhe se është “viktimë e një akti të agresionit nga Serbia”, pas sulmit nga grupe të armatosura serbësh ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit javë më parë.
Më 24 shtator, grupe të armatosura serbe sulmuan policinë e Kosovës në fshatin e komunës së Zveçanit, Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.
“Derisa ne po flasim, Kosova po përballet me sfida të papara; me sfida të sigurisë që vijnë nga akti i agresionit të Serbisë që ndodhi më 24 shtator. Ishte një akt agresioni i urdhëruar nga vendimmarrësit, nga shteti i Serbisë, e i kryer nga grupet terroriste paramilitare”, tha Osmani për CNN.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se qëndron prapa këtij sulmi.
SHIKONI EDHE: Sulmi në veri: Kosova bën përgjegjëse Serbinë, Serbia serbët e KosovësPor, Osmani nguli këmbë se “ky agresion nuk ndodhi vetëm një herë dhe ishte i planifikuar dhe përgatitur shumë mirë me qëllimin e vetëm për ta aneksuar veriun e Kosovës në stilin e Krimesë”, duke iu referuar aneksimit të Gadishullit ukrainas nga Rusia në vitin 2014.
Pesë ditë më vonë, përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiqit, i cili u mor në pyetje sot nga prokuroria serbe në Beograd, por Osmani nuk beson se Serbia do ta dënojë apo ekstradojë atë tek autoritet e Kosovës.
“Natyrisht, gjëja e parë që ne e duam është që [shteti serb] t’ia dorëzojë Radoiçiqin dhe terroristët e tjerë Republikës së Kosovës, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend. Serbia nuk ka histori të mirë për vënien e drejtësisë në vend”, tha Osmani të martën për televizionin amerikan CNN.
Ajo theksoi se “nuk ka asnjë rast kur kriminelët që kanë kryer krime lufte dhe gjenocid në Kosovë dhe Bosnjë që janë vënë para drejtësisë.”
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se e mori në pyetje Radoiçiqin të martën, të cilin e akuzon për "trafikim armësh" dhe "vepra kundër sigurisë".
SHIKONI EDHE: Radoiçiq në mbajtje, dyshohet për "trafikim armësh" dhe "vepra kundër sigurisë"Sipas Prokurorisë, Radoiçiq dyshohet se "ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator".
Ministri i Brendshëm i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Ramo Isak, tha për Radion Evropa e Lirë se "nuk ka informacion për ndonjë armë në zonën e Tuzllës", që lidhet me rastin e Millan Radoiçiqit.
“Serbia dëshiron ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor për Putinin”
Osmani e akuzoi Serbinë për “përpjekje të vazhdueshme për ta destabilizuar” Ballkanin Perëndimor, për t’ia mundësuar presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, hapjen e “një fronti të ri” kundër Perëndimit në Ballkanin Perëndimor.
Ajo e përmendi zhvendosjen e ushtrisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën javën e kaluar, gjë të cilën Serbia e ka mohuar, pavarësisht se u qortua nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
LEXONI EDHE KËTO
Borrell i bën thirrje Serbisë ta tërheqë ushtrinë nga kufiri me KosovënShtëpia e Bardhë: Dislokimi i ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën, shumë destabilizuesKosova i kërkon Serbisë t’i largojë trupat ushtarake nga kufiri me të“Ne po punojmë me aleatët dhe partnerët tanë për të mos e lejuar të ndodhë kjo”, tha ajo.
Megjithatë, Osmani beson se Serbia mund ta përsërisë “dhunën jo vetëm ndaj Kosovës por edhe ndaj pjesës tjetër të rajonit”, nëse nuk përballet me masa të ashpra.
Osmani i hodhi poshtë pretendimet e autoriteteve serbe se armët e përdorura nga grupi i udhëhequr nga Radoiçiqi ishin siguruar në Tuzëll të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës.
Policia e Kosovës gjeti dhe konfiskoi arsenal të jashtëzakonshëm armësh pas sulmit në veri.
SHIKONI EDHE: Arsenal i luftës në duart e sulmuesve në Banjskë“Armët që ne i kemi konfiskuar tregojnë se ato ishin prodhuar vetëm gjashtë javë më parë në bazat ushtarake në Serbi”, shtoi Osmani.
Ajo nënvizoi se armët e tilla nuk përdoren nga qytetarët e zakonshëm “por vetëm nga shteti dhe nga ushtria”.