“Jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje që janë të rëndësishme për SHBA-në dhe shtetin tuaj”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.
Në takimin e 26 korrikut të mbajtur në Uashingon, Blinken falënderoi delegacionin e Kosovës për pritjen e afganëve dhe mbështetjen e Kosovës për Ukrainën.
Ai po ashtu tha se kanë diskutuar edhe për “çështjet kritike të sigurisë rajonale”, por nuk dha më shumë detaje.
"Shtetet e Bashkuara e mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës, si dhe dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja", ka shkruar Blinken në Twitter.
Në një deklarim për media, pas takimit me Blinkenin, Osmani tha që takimi ishte i "shkëlqyeshëm" dhe edhe një herë u konfirmua që "Kosova nuk ka mik më të madh e më të mirë sesa SHBA-të".
Osmani tha se kanë biseduar edhe për fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, nevojën e Kosovës që të jetë anëtare e NATO-s, si dhe për "rolin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë".
Në këtë takim ajo tha se kanë biseduar në detaje për disa nga marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi, siç është ajo e energjisë dhe shtoi se administrata e SHBA-së ka qenë e qartë që procesi i dialogut të përqendrohet në njohje reciproke, "gjë që është konfirmuar edhe sot gjatë këtij takimi”.
Një çështje tjetër e ngritur në takim sipas saj ishte edhe roli që ka Rusia në destabilizimin Ballkanit Perëndimor nëpërmjet “satelitit të saj të Serbisë”.
“Sekretari Blinken, njësoj sikurse presidenti Biden, e njohin shumë mirë këtë histori të intencave ruse në rajonin tonë dhe në asnjë moment nuk e largojnë vëmendjen e tyre, gjë që na konfirmuan edhe sot, në mënyrë që bashkërisht të punojmë që t’i ndalim këto tendenca për destabilizim në rajonin tonë”, tha Osmani.
SHIKONI EDHE: Rusia s’ndalet së përgojuari KosovënOsmani tha se populli i Kosovës qëndron me Ukrainën dhe përmendi sanksionet që Kosova i ka vendosur Rusisë, siç tha ajo “në ditën e njëjtë që i ka miratuar dhe Amerika”.
Edhe kryeministri Kurti tha se takimi me Sekretarin e amerikan të Shtetit ishte "shumë i përzemërt".
Ai tha se nga Blinken kanë kërkuar shtimin e investimeve amerikane në Kosovë si dhe rritjen e shkëmbimit tregtarë midis dy vendeve.
SHIKONI EDHE: A po ndryshojnë raportet e Kurtit me SHBA-në?Duke iu referuar Kosovës më herët, Blinken ka thënë se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme, dhe se duhet të ketë këmbëngulje për të ndërtuar institucione demokratike dhe gjithëpërfshirëse.
Ai ka shprehur mbështetjen amerikane për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar këtë proces si rrugë për të arritur marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, e cila duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.
SHIKONI EDHE: Donfried: Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialogDialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.
Blinken ka thënë se po ashtu shpreson që Kosova të zë vendin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike.