Osmani bisedon me Hovenierin për ndryshimet në administratën amerikane pas fitores së Trumpit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. (Fotografi nga arkivi)

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, për ndryshimet në administratën amerikane, pasi Donald Trump i fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA javën e kaluar.

Zyra e Osmanit njoftoi se ky ishte një takim i rregullt i presidentes me ambasadorin amerikan, i cili është i pari mes tyre prej se Trumpi fitoi zgjedhjet më 5 nëntor.

“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen historike bipartizane dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, si dhe nënvizoi angazhimin e përbashkët për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”, thuhet në njoftim.

SHIKONI EDHE: Raportet Trump-Kosovë: Çfarë ishin dhe çka mund të pritet

Osmani tha në takim se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të janë “ekzistenciale” dhe se shpreson se edhe me administratën e re të presidentit të zgjedhur Trump, do të vazhdojë bashkëpunimi i “shkëlqyeshëm” dhe se ajo do të vazhdojë ta ketë në vëmendje Kosovën.

Fitorja e republikanit Trump në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA ka sjellë paqartësi edhe në Kosovë.

Njohësit politikë në Kosovë dhe të huaj, kanë shprehur qëndrime të ndara për ndikimet që kjo administratë do të ketë mbi Kosovën.

Afrim Hoti, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, tha javën e kaluar për Radion Evropa e Lirë se është optimist se Trump sjell një “mundësi pozitive për Kosovën dhe rajonin”.

Por, për Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Berlin “as edhe një gjë pozitive” për Ballkanin nuk mund të vijë nga kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

SHIKONI EDHE: Linjat hekurudhore dhe ajrore me Serbinë mbeten në letër

Gjatë mandatit të parë të Donald Trump si President i SHBA-së (2016-2020), administrata e tij u përqendrua fuqimisht në atë që e quajti “normalizim ekonomik” të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më 2020, Kosova dhe Serbia në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit Trump, nënshkruan Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht.

Synimi kryesor, sipas kësaj administrate, ishte që bashkëpunimi ekonomik t’i vendoste “në plan të parë përfitimet e qytetarëve, duke i ulur tensionet politike në rajon”.

Gjithashtu, në administratën e parë të Trumpit ka pasur disa zyrtarë, si këshilltari i atëhershëm për siguri kombëtare, John Bolton, që nuk e kanë përjashtuar opsionin e “korrigjimeve territoriale” mes Kosovës dhe Serbisë.

SHIKONI EDHE: Kosova kundër zgjidhjeve me Serbinë që prekin territoret