Osmani: Bideni dha garanci për mbështetje të vazhdueshme për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti amerikan Joe Biden, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të enjten se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka dhënë garanci të fuqishme për mbështetjen e vazhdueshme amerikane për Kosovën.

Osmani është duke qëndruar në Nju Jork, ku mori pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti Biden në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Në një bashkëbisedim të ngrohtë me Presidentin Biden, Presidentja Osmani ka theksuar se në themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës është aleanca e përhershme me SHBA-të”, thuhet në një njoftim të Presidencës së Kosovës.

Osmani e ka përsëritur qëndrimin se partneriteti me Amerikën është “ekzistencial, i pacenueshëm dhe i pazëvendësueshëm”.

Ajo e njoftoi presidentin Biden edhe për zhvillimet e fundit dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova, sipas Presidencës.

Në Nju Jork, Osmani u takua më 20 shtator edhe me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak, për zhvillimet e fundit në këtë proces, si dhe me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Bliken.

Vizita e presidentes Osmani në SHBA vjen rreth një javë pasi Kosova dhe Serbia nuk arritën asnjë marrëveshje në rundin e ri të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian më 14 shtator.

Pas përfundimit të takimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka akuzuar Lajçakun për qasje të njëanshme, në përputhje me qëndrimet e Serbisë, por blloku evropian i ka konsideruar akuzat si të pabaza.

SHIKONI EDHE: Osmani diskuton me Lajçakun për dialogun

Gjatë takimit me Lajçakun, Osmani ka përmendur edhe nevojën për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të cilat sipas saj, janë duke pasur ndikim te qytetarët e Kosovës.

Vetë Lajçaku tha më 20 shtator në një postim në rrjetin social X – të njohur më parë si Twitter – se është pajtuar me Osmanin që të vazhdojnë diskutimet në këtë temë.

Blloku evropian ka vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës muaj më parë, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Në komunat veriore me shumicë serbe, banorët lokalë nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë dhe me raste situata është përshkallëzuar në dhunë.

Kosovës i është kërkuar të punojë në përshkallëzim dhe të koordinohet me fakton ndërkombëtar për hapa të mëtejshëm.