Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka thënë se të drejtat e dhe interesat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës, duhet të merren parasysh pas zgjedhjeve në atë zonë.
Jeff Bieley, shef për çështje politike dhe për komunikim në misionin e OSBE-së në Kosovë, e ka komentuar për Radion Evropa e Lirë mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 23 prillit për kryetarët e komunave me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Këto zgjedhje u bojkotuan gjerësisht nga popullata serbe dhe dalja në to, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ishte vetëm 3.47 për qind.
“Do të ishte e preferueshme që të gjitha komunitetet të merrnin pjesë plotësisht, si kandidatët, ashtu edhe votuesit”, tha Bieley.
Megjithatë, sipas tij, ishte pozitive që, “pavarësisht dallimeve politike për mbajtjen e zgjedhjeve, nuk u bë asnjë përpjekje për të prishur procesin në ditën e zgjedhjeve”.
SHIKONI EDHE: BE: Zgjedhjet në veri nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politikeOSBE-ja, që në të kaluarën ishte angazhuar në monitorimin apo edhe organizimin e zgjedhjeve lokale dhe qendrore në Kosovë, bëri të ditur se nuk i është kërkuar angazhimi në këto zgjedhje në asnjë kapacitet.
“OSBE-ja… nuk ka pasur rol në lehtësimin e zgjedhjeve në Kosovë që nga viti 2020. Kjo për shkak se KQZ-ja ka dëshmuar që nga nëntori i vitit 2020 se ka aftësi teknike për të mbajtur zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës pa mbështetje operacionale nga OSBE-ja”, theksoi ai.
Sipas rezultateve preliminare, garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, e fituan kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq në Zveçan dhe Zubin Potok fituan ata të Partisë Demokratike të Kosovës.
Nga dhjetë kandidatë, vetëm një ishte nga komuniteti serb.
Më parë këto komuna janë udhëhequr nga anëtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, e cila kësaj here i bojkotoi zgjedhjet.
Për bojkotimin e zgjedhjeve nga serbët e Kosovës, liderët kosovarë e fajësuan ndikimin e Beogradit.
Ndërkaq, liderët e Serbisë kanë paralajmëruar “një krizë të thellë” në atë zonë.
Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.
SHIKONI EDHE: Vuçiq: Ndryshime tektonike në veri të Kosovës