Osama bin Laden: Nga rinia deri te vrasja e kryeterroristit
Sulmet terroriste të 11 Shtatorit në Nju-Jork (në foto), në Uashington, dhe në Pensilvani, më 2001, e bënë edhe më urgjente kapjen e udhëheqësit saudit të terroristëve, Osama bin Laden. Kërkimi kishte filluar në vitet e 90-ta të shekullit 20.
Një fotografi që besohet se shfaq Bin Ladenin në një orë mësimi xhudoje në Arabinë Saudite, në fillimin e viteve të 80-ta të shekullit 20. Bin Laden ishte i biri i një magnati miliarder të ndërtimeve, me lidhje të ngushta personale me familjen mbretërore saudite.
Jimmy Wu, i cili ka ndarë këtë fotografi nga koha që ai ka kaluar në Arabinë Saudite, ka thënë për Reuters se i kujtohet se nxënësi trupgjatë i arteve luftarake një herë e kishte qortuar atë, pasi gruaja e Wusë kishte hyrë në qendrën e xhudos, duke i thënë atij se gratë nuk duhet të lejoheshin aty. "Bin Laden nuk e pëlqeu praninë e saj", ka thënë ai.
Një kamp stërvitor për xhihadistët, të cilët luftonin kundër forcave sovjetike që pushtuan Afganistanin më 1979.
Bin Laden shfrytëzoi pasurinë e trashëguar për të financuar kampe stërvitore në Pakistan, ku luftëtarët e huaj mund të përgatiteshin për luftime dhe të kalonin kufirin me Afganistanin, për të luftuar atje trupat sovjetike. Milioneri saudit kishte luftuar edhe vetë në fazat e vonshme të luftës, e cila përfundoi më 1989, kur Bashkimi Sovjetik u tërhoq nga Afganistani.
Afër fundit të luftës sovjeto-afgane, Bin Laden (i fotografuar në mes, më 1998), formoi atë që u bë e njohur si Al-Kaida. Udhëheqësi terrorist më pas shpalli luftë ndaj "hebrenjve dhe kryqtarëve", dhe proklamoi se vrasja e perëndimorëve "është detyrë individuale për çdo mysliman".
Një shtëllungë tymi ngrihet në qiell, disa momente pas shpërthimit të një kamioni të mbushur me eksplozivë, afër Ambasadës së SHBA-së në Nairobi, Kenia, më 1998.
Përgjatë viteve të 90-ta, Bin Laden mori përgjegjësinë për disa sulme terroriste, përfshirë sulmet me kamionë me bomba ndaj ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani. Shumica e madhe e 224 personave të vrarë në këto sulme ishin afrikanë vendës.
Një brigadë myslimane e Ushtrisë Boshnjake marshon në një paradë në Zenicë, më 1995.
Bin Laden po ashtu gjerësisht besohet të ketë qenë i përfshirë në çuarjen e xhihadistëve të huaj për të luftuar bashkë me myslimanët e Bosnjës gjatë luftërave të viteve të 90-ta të shekullit 20 në ish-Jugosllavi. Luftëtarët e huaj islamikë ishin famëkëqij për shkak të brutalitetit të tyre.
Luftëtarët afganë shikojnë teksa bombat amerikane tundin kompleksin malor Tora Bora në Afganistan, në dhjetorin e vitit 2001.
Kur SHBA-ja e pushtoi Afganistanin, pas sulmeve të 11 Shtatorit, u nis një fushatë e madhe e sulmeve ajrore, e mbështetur nga luftëtarët në terren, ndaj një vargu shpellash malore, i njohur si Tora Bora. Bin Ladeni dhe luftëtarët e tij të Al Kaidas besohej se fshiheshin brenda Tora Borës në këto male, para se ai të ikte në Pakistan.
Bin Laden shikon veten në televizor, në një datë të panjohur, me gjasë në vendin ku fshihej, në Abotabad, Pakistan.
Ai arriti t'i ikte edhe bombave, edhe forcave speciale amerikane, kur kaloi tinëz kufirin për të hyrë në Pakistan.
Fotot e realizuara nga fluturaket e telekomanduara të CIA-s shfaqin një kompleks të ri në Abotabad.
Bin Laden arriti në qytetin verior pakistanez, aty ku rreth vitit 2005 ishte ndërtuar një kompleks i madh, me mure të larta. Vendësit vërejtën se banorët e kompleksit i digjnin mbeturinat e tyre, në vend se t'i nxirrnin jashtë për t'u mbledhur.
Një ilustrim i kompleksit në Abotabad, i cili përfshinte një "mur privatësie" në ballkonin e epërm.
Ka rrëfime të ndryshme rreth asaj se si Bin Laden më në fund u lokalizua në këtë vend, por vëzhgimi i objektit thuhej të ketë qenë relativisht i lehtë, për shkak të lartësisë së tij.
Periferia e Abotabadit.
Deri më 2010, një ekip vëzhgues i CIA-s, i cili kishte kaluar muaj të tërë në një shtëpi të afërt "duke vështruar prapa një xhami të padukshëm nga jashtë" me pajisje të sofistikuara, ishte i sigurt se banorët misteriozë të kompleksit ishin Bin Laden dhe familja e tij.
Forcat e Marinës amerikane gjatë stërvitjeve.
Në mëngjesin e hershëm të 2 majit të vitit 2011, dhjetëra forca speciale të Marinës amerikane u dislokuan me helikopterë nga një bazë në Afganistan te kompleksi në Abotabad. Ekipet fluturuan ulët mbi tokë, për të mos u vërejtur nga ushtria e Pakistanit.
Presidenti amerikan, Barack Obama (i dyti nga e majta) dhe nënpresidenti i atëhershëm, Joe Biden (majtas), bashkë me anëtarët e ekipit të sigurisë kombëtare, shikojnë operacionin teksa zhvillohet.
Biden raportohet të ketë qenë i vetmi zyrtar i lartë që ka kundërshtuar kryerjen e sulmit në atë kohë.
Pjesë e një helikopteri të shkatërruar amerikan në kompleksin e Abotabadit.
Sulmi nisi keq, kur turbulenca e krijuar nga muret e kompleksit bëri që një helikopter të humbte ekuilibrin dhe të rrëzohej. Por, forcat speciale dhe një qen i stërvitur hynë me forcë brenda ndërtesës, dhe e vranë Bin Ladenin. Pjesëtarët e Marinës amerikane shkatërruan helikopterin e rrëzuar me eksplozivë, para se të futeshin në një tjetër helikopter, me trupin e vdekur të Bin Ladenit, për t'u larguar nga aty.
Një banore e Nju-Jorkut feston pas lajmit për vrasjen e Bin Ladenit.
Pasi një test ADN-je në kufomën e udhëheqësit të Al Kaidas konfirmoi identitetin e tij, ai u hodh nga forcat amerikane në det, brenda 24 orësh nga vdekja e tij, sipas traditës islamike.
Vendësit mblidhen rreth kompleksit të Bin Ladenit, më 4 maj të vitit 2011.
Lokacioni i kompleksit, jo shumë larg një baze ushtarake pakistaneze, nxiti dyshimet se ushtria kishte qenë në dijeni për vendndodhjen e Bin Ladenit.
Djemtë vendës mbledhin pjesë të helikopterit amerikan, një ditë pasi ai u shkatërrua nga forcat speciale amerikane, pas rrëzimit të tij në kompleksin e Bin Ladenit.
Më 2020, kryeministri pakistanez, Imran Khan, pranoi "lidhjet" e mundshme mes ushtrisë së vendit të tij dhe Bin Ladenit, kur udhëheqësi i Al Kaidas fshihej në Pakistna, por mohoi se ka pasur bashkëpunim të nivelit të lartë.
Kompleksi duke u shkatërruar më 2012.
Fotografitë e trupit të vdekur të Bin Ladenit nuk janë botuar kurrë, për shkak të, siç raportohet, natyrës së tyre të rëndë.
Një burrë ecën më 2012 afër vendit ku dikur ndodhej kompleksi i Bin Ladenit.
Imazhet satelitore nga viti 2021 shfaqin plot shtëpi të reja të ndërtuara në lagje që nga viti 2011, por vendi ku ndodhej kompleksi mbetet bosh, dhe shfrytëzohet nga vendësit për të luajtur kriket.