Kryeministri hungarez Viktor Orban ka thënë të premten se do ta ftojë kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, për vizitë në Hungari, duke shtuar se do të garantojë se fletarrestimi i lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) kundër Netanyahut “nuk do të zbatohet”.
GJNP-ja lëshoi fletarrestime të enjten për Netanyahun, ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, si dhe për liderin e Hamasit, Ibrahim Al-Masri, të cilët i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në konfliktin në Gazë.
Orban, vendi i të cilit mban kryesimin e presidencës me rotacion 6-mujor të Bashkimit Evropian, tha për radion shtetërore se fletarrestimi i GJNP-së për Netanyahun është “gabim” dhe shtoi se lideri izraelit do të jetë në gjendje të mbajë bisedime në Hungari “me siguri adekuate”.
SHIKONI EDHE: GJNP-ja lëshon fletarrestime për Netanyahun dhe zyrtarët e Hamasit“Sot, do ta ftoj kryeministrin e Izraelit, Netanyahun, për një vizitë në Hungari dhe në atë ftesë, do ta siguroj atë se, nëse vjen, vendimi i GJNP-së nuk do të ketë efekt në Hungari. Ne nuk do ta zbatojmë përmbajtjen e tij”, tha Orban.
Orbani ka krijuar marrëdhënie të ngushta politike me Netanyahun prej se ai dhe partia nacionaliste, Fidesz, e morën pushtetin në Hungari më 2010.
Netanyahu e vizitoi Budapestin në vitin 2017.
Liderët e Izraelit dhe Shtëpia e Bardhë e kanë dënuar fuqishëm vendimin e GJNP-së, por shefi për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se fletarrestimet nuk janë politike dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së duhet ta respektojnë dhe zbatojnë vendimin e gjykatës.
Brenda BE-së, Hungaria dhe Republika e Çekisë janë përkrahës të fuqishëm të Izraelit, derisa vende si Spanja dhe Irlanda theksojnë mbështetjen e tyre për palestinezët.
Ministria e Jashtme e Çekisë, duke iu përgjigjur vendimit të GJNP-së, tha se Praga do t’i respektojë detyrimet e veta nga ligji ndërkombëtar.
Megjithatë, kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, e quajti të “pavend” vendimin e GJNP-së, duke thënë në X të enjten vonë se “vendimi minon autoritetin e gjykatës në rastet e tjera, kur i barazon përfaqësuesit e zgjedhur të një shteti demokratik me liderët e një organizate islamiste terroriste”.