Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, e ka uruar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për fitimin e zgjedhjeve presidenciale, pavarësisht se shumë qeveri perëndimore i dënuan zgjedhjet ruse.
Zëdhënësi i Qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, tha se Orbani e uroi Putinin në një letër në të cilën gjithashtu theksoi se bashkëpunimi mes Hungarisë dhe Rusisë “mundëson diskutime të rëndësishme edhe në tema sfiduese gjeopolitike”.
Bashkimi Evropian, anëtare e të cilit është Hungaria, tha se zgjedhjet ruse u mbajtën “në një mjedis tejet të kufizuar, i cili u përkeqësua po ashtu nga lufta e jashtëligjshme agresore e Rusisë në Ukrainë”.
SHIKONI EDHE: Navalnaya i bën thirrje botës të mos e njohë Putinin si lider legjitimSipas Orbanit, ruajtja e dialogut është “kusht thelbësor për arritjen e paqes sa më parë”.
Putin e shpalli fitoren për mandatin e pestë presidencial, pas zgjedhjeve të mbajtura më 15-17 mars, të cilat janë dënuar prej Perëndimit, duke u cilësuar si as të drejta, as të lira.
Besohet që përmes këtyre zgjedhjeve, Putin ka tentuar të fitojë përkrahje për luftën e nisur në Ukrainë dhe politikat e tij gjithnjë e më shtypëse.
Putin, 71-vjeçar, i cili ka udhëhequr në Rusi, qoftë si president, apo si kryeministër prej vitit 2000 – pritet të tejkalojë udhëheqësinë 30-vjeçare të Josef Stalinit, nëse do ta përfundojë këtë mandat të ri.
Kështu, ai do të mund të bëhet lideri rus që ka shërbyer më së gjati në dy shekujt e fundit.
Vëzhguesve të pavarur u është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje, për herë të parë në historinë post-sovjetike të Rusisë, kanë thënë ekspertët.