Orban: Sanksionet e BE-së ndaj Rusisë kanë "dështuar"

Kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Hungaria duhet të përgatitet për një luftë të gjatë në Ukrainën fqinje, ka thënë kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Sipas tij, sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë “kanë dështuar”, duke ndikuar në rritje të çmimeve.

Orban - i cili ka mospajtime me bllokun evropian për disa politika të tij, që Brukseli i konsideron jodemokratike - ka bërë thirrje për armëpushim, dhe ka thënë se sanksionet kundër Rusisë janë duke rënduar ekonominë e Evropës.

Orban, i cili ka fituar një mandat të katërt në pushtet në muajin prill, tani përballet me inflacion dhe mundësi të recesionit vitin e ardhshëm.

Ai ka thënë para parlamentit se për të nuk është befasi pse qeveritë janë duke rënë në Evropë, duke iu referuar zgjedhjeve në Itali.

Në këtë shtet, pritet që të formohet qeveria me qasjen me të djathtë prej Luftës së Dytë Botërore.

SHIKONI EDHE: Liderja e ekstremit të djathtë pritet të bëhet kryeministrja e parë e Italisë

“Ne mund të themi se si rezultat i sanksioneve, populli evropian është bërë më i varfër, derisa Rusia nuk ka rënë në gjunjë”, ka thënë Orban.

“Kjo armë ka dështuar, pasi sanksionet e Evropës e kanë qëlluar vetveten në këmbë”.

“Ne jemi në pritje të përgjigjes, e gjithë Evropa është duke pritur për një përgjigje nga Brukseli se sa gjatë do të na duhet të veprojmë kështu”, ka thënë ai, duke shtuar se është koha të diskutohet edhe me Shtetet e Bashkuara për këto sanksione.

Orban, Qeveria e të cilit është në bisedime me Komisionin Evropian për të siguruar miliarda euro fonde, ka thënë se kabineti i tij do të nisë “konsultime kombëtare” për t’i pyetur hungarezët për sanksionet.

SHIKONI EDHE: A po funksionon presioni i BE-së mbi Hungarinë?

Në të kaluarën ai ka përdorur strategji të tillë për të siguruar mbështetje për politikat e tij rreth komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor) dhe migrimit.

“Nëse burokratët e Brukselit nuk na ndajnë paratë, të cilat i takojnë Hungarisë, atëherë ne do të sigurojmë fondet e nevojshme nga burimet tjera”, ka thënë Orban, duke shtuar se Hungaria ka nisur negociatat me BE-në dhe “partnerë tjerë ndërkombëtarë”.

Megjithatë, ai nuk ka dhënë hollësi tjera për këtë temë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.