Orban: Putin nuk do të sulmonte një vend të NATO-s

Kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, shprehu bindjen se është e pamundur që presidenti rus, Vladimir Putin, të sulmojë një vend të NATO-s.

“Asnjë njeri serioz nuk mund të thotë për Rusinë se synon ta sulmojë NATO-n”, tha ai në një intervistë për gazetën gjermane, Bild, e cila u publikua të hënën.

Sulmi kundër NATO-s është krejtësisht i pamundur - jo vetëm për Rusinë, por për këdo në botë - pasi është komuniteti më i fuqishëm ushtarak, tha Orban.

Prej se ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, Putin ka bërë disa kërcënime - qoftë direkte, qoftë të tërthorta - kundër NATO-s.

SHIKONI EDHE: 'Përgatitje për skenarin më të keq’: Fortifikimet në kufirin e Letonisë me Rusinë

Orban shtoi se të gjitha vendet e NATO-s qëndrojnë pas zotimit të tyre për sigurinë kolektive, që do të thotë se sulmi ndaj një aleati të NATO-s është sulm ndaj të gjithëve.

“Rusët kanë një histori dhe kulturë ndryshe; ata e shohin ndryshe nga evropianët edhe lirinë dhe sovranitetin kombëtar”, tha Orban, i cili takoi Putinin javën e kaluar në Moskë.

“Por, ata janë racionalë, janë hiper-racionalë”, shtoi ai.

SHIKONI EDHE: Orban takon Putinin në Moskë teksa BE-ja distancohet nga vizita

Duke folur për zgjedhjet presidenciale në SHBA, që do të mbahen në nëntor, Orban tha se beson se presidenti aktual, Joe Biden, nuk do të rizgjidhet.

Ai e lavdëroi kundërkandidatin republikan të Bidenit, Donald Trump.

“Ai është një biznesmen, është një njeri i vetëkrijuar, ka qasje ndryshe për gjithçka. Dhe, unë mendoj se kjo është gjë e mirë për politikën botërore”, tha Orban për gazetën gjermane.

“Të mos harrojmë se ai është njeri i paqes”, pohoi Orban, duke shtuar se Trump nuk ka nisur asnjë luftë të vetme gjatë katër vjetëve të tij në detyrë.

Orban ka qenë i vetmi kryeministër i një vendi të Bashkimit Evropian që ka shprehur hapur mbështetjen e tij për Trumpin edhe para zgjedhjes së tij president në vitin 2016.