Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha se vendi i tij do të mbajë një referendum për ndërtimin e një universiteti kinez në Budapest.
Vendimi u mor pasi mijëra demonstrues dolën në rrugë për të kundërshtuar projektin.
Plani për të ndërtuar kampusin e Universitetit Fudan në Budapest deri në vitin 2024, duke përdorur një hua prej 1.5 miliard dollarësh nga një bankë kineze, ka vënë në qendër të vëmendjes lidhjet e ngushta të Orbanit me Pekinin dhe ka rritur shqetësimet për ndikimin e një projekti të tillë në sistemin e arsimit të lartë në Hungari.
SHIKONI EDHE: Hungaria - “portë hyrëse” e Kinës në EvropëQeveria argumenton se Universiteti Fudan do t’u mundësojë studentëve hungarezë dhe ndërkombëtarë të fitojnë kualifikime me cilësi të lartë, por kryetari liberal i Budapestit, Gergely Karacsony, dhe kritikë të tjerë druajnë nga mungesa e transparencës dhe lirisë akademike.
Karacsony ka kërkuar prej kohësh nga Orban që të mos imponojë projekte të padëshiruara në qytet, ndërsa një sondazh i opinionit i kryer së voni ka treguar se shumica e banorëve të Budapestit e kundërshtojnë kampusin e universitetit kinez.
“Kjo është bërë një çështje politike dhe ne duhet të vendosim për të në një mënyrë që është e pranueshme për të gjithë”, tha Orban në një konferencë për gazetarë të enjten.
Ai i hodhi poshtë akuzat se ndërtimi i universitetit, do t’i hapte rrugë ndikimit kinez.
“Ne nuk kemi frikë nga komunistët, sepse i kemi mundur tashmë”, tha Orban.
“Ne e dimë saktësisht se çfarë duhet të bëhet dhe si... Për këtë arsye, ne e konsiderojmë bashkëpunimin ekonomik me ta dhe arsimin si veçanërisht të rëndësishëm”, shtoi ai.
Pekini e ka mbrojtur projektin, duke u bërë thirrje kritikëve të tij që “të shmangin politizimin dhe stigmatizimin e shkëmbimeve normale të personelit midis Kinës dhe Hungarisë”.