Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha se i ka anuluar të gjitha “detyrimet e tij ndërkombëtare”, pasi vendi i tij pritet të përfshihet nga përmbytje të mëdha.
Orban, i cili pritej të fliste këtë javë në Parlamentin Evropian, tha përmes një postimi në rrjetet sociale se, “për shkak të kushteve ekstreme të motit dhe përmbytjeve të vazhdueshme... kam shtyrë të gjitha detyrimet e mia ndërkombëtare”.
Shirat dhe përmbytjet kanë shkaktuar tashmë kërdi në disa pjesë të Evropës.
Në Rumani, gjashtë persona u raportuan të vdekur në fundjavë.
Çekia, Austria dhe Polonia raportuan për nga një viktimë dhe disa të zhdukur.
SHIKONI EDHE: Evropa Qendrore vazhdon të luftojë me shira e përmbytje
Kryebashkiaku i Budapestit, Gergely Karacsony, shkroi në Facebook se përmbytjet më të mëdha në një dekadë, priten të arrijnë në këtë qytet gjatë javës.
Ekipet e emergjencës kanë mbushur qindra mijëra thasë me rërë për të ndihmuar në mbrojtjen e qytetit nga rritja e nivelit të ujit në lumin Danub.