Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” pretendoi se Partia Progresive Serbe (SNS) ka marrë 21.000 vota më shumë se lista e tyre në zgjedhjet në Beograd.
“Duke pasur parasysh se më shumë se 40.000 persona pa vendbanim të ligjshëm u sollën në Beograd në mënyrë të organizuar për të mbështetur listën e SNS-së, e cila ndryshoi në mënyrë drastike vullnetin elektoral të qytetarëve të Beogradit, ne kërkojmë anulimin e zgjedhjeve në qytetin e Beogradit dhe përsëritja e votimit për Kuvendin Komunal”, tha koalicioni.
Nga ky koalicion po ashtu kërkuan “pastrimin e listës zgjedhore”.
Ndërkaq, Qendra e pavarur për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA) tha se më 17 dhjetor kanë parë indikacione se votuesit janë sjell nga Bosnje e Hercegovina dhe ish-republika të tjera jugosllave për të votuar në zgjedhjet në Serbi.
Më herët, SNS hodhi poshtë akuzat se ka ndikuar në vullnetin e qytetarëve gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit.
Presidenti i SNS-së, Millosh Vuçeviq, deklaroi se është “i sigurt” se lista e tij ka fituar në kryeqytetin serb, Beograd, dhe se ai beson se Alleksandar Shapiq, do të jetë “kryetari i ri apo i vjetër” i qytetit.
SHIKONI EDHE: Vuçiq shpall fitore në zgjedhjet parlamentareSerbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.
Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare ishte 57.65 për qind.
Sipas Komisionit Republikan Zgjedhor deri më tani janë numëruar votat për zgjedhjet parlamentare në pothuajse 35 qendra të votimit.
Sipas rezultateve paraprake, lista zgjedhore “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar 50.42 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare, ndërkaq lista “Serbia kundër dhunës” ka fituar 19.25 për qind. E treta është lista “Ivica Daçiq – kryeministër i Serbisë” me 7.19 për qind të votave.
Në vendin e katërt është lista “Shpresë për Serbinë” me 4.45 për qind të votave, pasuar nga “Ne – Zëri i popullit” me 4.06 për qind.
Ndërkaq, “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, sipas rezultateve preliminare, ka fituar 0.79 për qind të votave. Kjo listë pritet të fitojë një ulëse në Parlamentin serb.
Organizata joqeveritare, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID) dhe agjencia Ipsos, thanë se rezultatet e zgjedhjeve janë më të ngushta, duke thënë se sipas të dhënave, SNS ka fituar 3.4 për qind të votave, ndërkaq koalicioni kryesor opozitar ka marr 35.1 për qind.
Mustafi: Shqiptarët zgjodhën politikën e bashkëpunimit
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafi, tha për Radion Evropa e Lirë se në këto zgjedhje, votuesit shqiptarë treguan “maturi dhe pjekuri të lartë, madje kanë refuzuar politikën e konfrontimit me Prishtinën dhe Tiranën”.
“Kanë zgjedhur politikën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit me Prishtinën dhe Tiranën duke thënë se armiqtë nuk i kemi në Prishtinë e Tiranë dhe duke theksuar se duhet rezistencë ndaj Beogradit”, tha ai.
Duke komentuar fitimin e mandatit të deputetit nga Shaip Kamberi, Mustafi tha se Kamberi do të tregojë për shkeljet ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës – Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – por edhe do të jetë “ një zë i arsyes që kërkon zgjidhje demokratike drejt Bashkimit Evropian dhe jo drejt Rusisë dhe Kinës”.
Sa i përket rezultatit të listës zgjedhore të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Mustafi tha se kjo është dëshmi se Serbia “është zhytur në një narracion, në një politikë që është fashiste, në një politikë e cila refuzon tjetrin, në një politikë e cila largon tjetrin, nuk e dëshiron të ndryshmen, por që i ka dhënë fuqi të jashtëzakonshme një lideri, një diktatori i cili qëllimet e tij politike nuk i sheh vetëm drejt Bashkimit Evropian, por edhe në marrëdhënie me Rusi e Kinë”.
Në këto zgjedhje, banorët serbë të Kosovës kanë udhëtuar drejt Serbisë për të votuar. Kjo pasi votimet nuk janë lejuar të mbahen në territorin e Kosovës, krahasuar me vitet më parë.
Ata kanë mundur të votojnë në katër qytete në jug të Serbisë - në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.
Qeveria e Kosovës kishte kërkuar që shteti i Serbisë t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë për mbajtje të zgjedhjeve, por Beogradi zyrtar nuk ka vepruar ashtu, meqë nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.
Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka grumbulluar votat. Ato vota, më pas, janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.
*Video: Serbët e Kosovës udhëtojnë për në Serbi për të votuar
Your browser doesn’t support HTML5
Zgjedhjet e 17 dhjetorit ishin të pestat të organizuara në Serbi prej vitit 2012, dhe janë mbajtur vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor.
Zgjedhjet janë nxitur prej zemërimit në rritje të publikut për të shtënat masive të këtij viti dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për proces të ri zgjedhor.
Dy sulmet me të shtëna masive të majit maj, që kanë lënë të vdekur 18 persona, përfshirë nëntë nxënës dhe adoleshentë, kanë rezultuar me protesta në rrugë me javë të tëra.