AFP
Opozitës së goditur të Venezuelës i kanë mbetur pak mundësi për të sfiduar pretendimin e presidentit Nicolas Maduro se i ka fituar zgjedhjet e këtij viti.
Kandidati i opozitës për president, Edmundo Gonzalez Urrutia, ka ikur prej shtetit dhe ka kërkuar azil në Spanjë, përgjatë fundjavës.
SHIKONI EDHE: Lideri opozitar venezuelas lë vendin dhe kërkon azil në SpanjëLiderja me nam që ka garuar në zgjedhje, Maria Corina Machado, është duke u fshehur diku brenda Venezuelës.
Figura të tjera opozitare janë arrestuar dhe Maduro është duke qëndruar në krye të këtij shteti të pasur me naftë, pa treguar ndonjë shenjë të zmbrapsjes.
Fitorja e kontestuar e Maduros në zgjedhjet e 28 korrikut, është sfiduar jo vetëm prej opozitës, apo rivalëve historikë, sikurse Shtetet e Bashkuara, por edhe prej aleatëve të majtë të Venezuelës, sikurse Brazili dhe Kolumbia.
Mirëpo, këto dy shtete nuk kanë çka të ofrojnë për të gjetur një zgjidhje paqësore për krizën.
SHIKONI EDHE: Shtatë vende të BE-së i bëjnë thirrje Venezuelës t’i publikojë të dhënat e zgjedhjeveBrenda shtetit, njerëzit janë me opozitën në thirrjet se zgjedhjet janë vjedhur, mirëpo të gjithë flasin me pëshpërima, pasi askush nuk dëshiron t’i bashkohet grupit prej më shumë se 2.400 personave që janë arrestuar pas zgjedhjeve, përfshirë fëmijë, disa prej të cilëve janë akuzuar për “terrorizëm”.
Maduro do të betohet për mandatin e tretë si president më 10 janar të vitit të ardhshëm, dhe deri atëherë mund të ndodhë gjithçka.
Por, tani për tani, Venezuela duket kështu: Maduro dhe trashëgimtarët tjerë të liderit ikonik socialist, Hugo Chaves, janë duke i forcuar lidhjet, teksa opozita po tenton disi të riorganizojë veten, ndërsa pjesa tjetër e botës është duke vlerësuar si mund të përballet me Maduron, i cili nuk është shkundur as prej presionit dhe sanksioneve ndërkombëtare.
“Zhdukja e gjithçkaje”
Këshilli Kombëtar i Zgjedhjeve, besnik i Maduros, e ka shpallur atë fitues në zgjedhje, duke thënë se i ka fituar 52 për qind të votave.
Kjo nënkupton që ai do të jetë në pushtet edhe gjashtë vjet tjerë.
Maduro, dikur shofer autobusi për ish-liderin Chavez, ka nisur karrierën kur ish-lideri e ka përzgjedhur si trashëgimtar në pushtet.
Opozita ka publikuar kopje të votave nëpër qendrat e votimit, duke thënë se ato dokumente dëshmojnë se fitorja e Maduros është e rreme dhe që Gonzalez Urrutia i ka fituar zgjedhjet me shumicë dërmuese.
Fakti që opozita ka publikuar të dhëna, ka nxitur hetime të Qeverisë ndaj opozitës, me akuzat se ajo është përfshirë në komplot.
Vetë Qeveria nuk i ka publikuar asnjëherë hollësitë e procesit zgjedhor, për të mbështetur pretendimin e fitores.
Ajo thotë se nuk mund të prezantojë asgjë, sepse sistemi zgjedhor është hakuar.
Maduro insiston që ka fituar.
“Është e qartë se Qeveria nuk synon të zmbrapset, në fakt e kundërta, sa shkon e shtrihet”, ka thënë Antulio Rosales, shkencëtar politik dhe profesor në Universitetin York në Kanada.
“Është strategji e dominimit, e zhdukjes së gjithçkaje tjetër”, ka thënë Gulio Cellini, udhëheqës i qendrës konsulente LOG.
Sipas tij, ai e sheh që Maduro synon të mbetet në pushtet me çfarëdo çmimi, sepse kostoja e heqjes dorë “është edhe më e lartë”.
Edhe në zgjedhjet e parafundit të Venezuelës, të mbajtura më 2018, Maduro ka pretenduar fitore, pavarësisht se është akuzuar për mashtrime të mëdha.
Me mbështetjen e siguruar prej ushtrisë dhe institucioneve tjera, ai ka arritur të qëndrojë në pushtet, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare.
SHIKONI EDHE: Applebaum: Autokracitë janë bashkuar kundër demokraciveMaduro udhëheq Venezuelën prej vitit 2013. Ky shtet është shumë i pasur me naftë, por shumë i varfër në aspektin ekonomik.
Keqmenaxhimi ekonomik dhe sanksionet kanë ndikuar që shteti të regjistrojë 80 për qind rënie në vlerën e bruto prodhimit të brendshëm (GDP) në një dekadë.
Kjo situatë ka detyruar më shumë se shtatë milionë njerëz - nga 30 milionë në total – që të largohen prej shtëpive të tyre.
Gonzalez Urrutia - 75 vjeç, dhe ish-diplomat i njohur pak deri më tani – ka thënë javën e kaluar se nuk po e shqyrton mundësinë e azilit jashtë vendit, ndonëse ditë më parë ka vepruar ashtu.
Për shumë venezuelas, largimi i tij nuk përbën befasi.
Ai ka qenë nën presion të jashtëzakonshëm, jo vetëm në aspektin ligjor – meqë përballej me tri padi në gjykata – por edhe për shkak të akuzave ditore të Maduros kundër atij.
Maduro e ka quajtur opozitarin Gonzalez Urrutia, si frikacak, të ndyrë dhe nazist.
Machado, liderja e popullarizuar opozitare, zëri i së cilës është bllokuar prej gjykatave të afërta me Maduron, është duke jetuar tani në fshehtësi.
Shumë venezuelas janë duke hamendësuar nëse edhe ajo do të kërkojë azil jashtë shtetit.
Shteti është përballur me protesta të ashpra pas shpalljes së fitores së Maduros.
Në shtypjen që ua ka bërë shteti këtyre protestave janë vrarë 27 persona ndërsa rreth 200 të tjerë janë plagosur.
Ekspertët besojnë se ka pak mundësi që Shtetet e Bashkuara të reagojnë me ashpërsinë e njëjtë sikurse me atë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, pas fitores së kontestuar të Maduros më 2018.
Atëbotë, administrata amerikane pati thënë se nuk e konsideron më Maduron si president dhe e pati njohur liderin opozitar, Juan Guaido.
Ndëshkimi i fundit i SHBA-së ka ndodhur më herët gjatë këtij muaji, kur e ka konfiskuar një aeroplan të Maduros në Republikën Dominikane.
Shtetet e Bashkuara tani pritet të vendosin sanksione kundër anëtarëve të Qeverisë së Maduros.
Pablo Quintero, gjithashtu, prej qendrës konsulente LOG, ka thënë se në periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë, Qeveria e Maduros do të qeverisë nën izolim.
“Ata janë të trajnuar në këto situata dhe janë të gatshëm të durojnë gjithçka, vetëm për të qëndruar në pushtet”, ka thënë ai.