Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt të sjellë në Kuvend projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale.
Ky Projektligj do t’u mundësonte qytetarëve tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.
Subjekti më i madh opozitar, PDK, ka propozuar tërheqjen e mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale, që njihet ndryshe edhe si Trusti.
SHIKONI EDHE: Gati 5 miliardë euro kursime në Kosovë: Ku shkojnë këto para?Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se kanë pritur se gjatë kësaj mbledhjeje të miratohet ky projektligj.
“Por, projektligji ende qenka në Komisionin për Buxhet dhe Transfere dhe ne kërkojmë nga ky komision që të reagojë sa më shpejt dhe ta sjellë projektligjin në mënyrë që ne si Kryesi ta procedojmë për seancën e radhës. Pra, për këtë të enjte nuk do të jetë e mundur ta trajtojmë këtë. Por, besoj se të hënën e ardhshme [23 maj], kur do jetë mbledhja e radhës e Kryesisë do të kemi të gatshëm projektligjin dhe të do kemi mundësinë që të procedojmë në seancën e radhës”, tha Tahiri.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kërkoi që ky projektligj sa më shpejt të vijë në Kuvend.
“Silleni sa më shpjet projektligjin në Kuvend, për shkak se tashmë edhe deputetët e shumicës e dinë se sa e rëndësishme është që të punësuarit që kanë paratë e tyre në Trust, t’i tërheqin ato në këtë krizë të madhe”, theksoi ai.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, si iniciator i këtij projektligji, beson se ka vota të mjaftueshme, përfshirë edhe të deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, që të miratohet tërheqja e kursimeve nga Trusti.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, më herët është shprehur kundër një propozimi të tillë.
SHIKONI EDHE: Qeveria nuk përkrah edhe një tërheqje të mjeteve nga TrustiPor, Bekim Haxhiu tha se ka biseduar me shumicën e deputetëve të Kuvendit, përfshirë ata të pushtetit dhe opozitës dhe se ata, sipas tij, kanë konfirmuar gatishmërinë për të votuar.
“Ky projektligj është kërkesë e qytetarëve dhe nuk do duhej të ketë dallime mes pushtetit dhe opozitës për realizimin e kërkesës së qytetarëve. Kam biseduar me shumicën e deputetëve në pushtet dhe në opozitë, ata kanë pohuar se do të mbështesin këtë iniciativë qytetare. Në anën tjetër, ka një lloj presioni nga mazhoranca. Nuk e di arsyen”, tha Haxhiu për Radion Evropa e Lirë.
Një ligj konsiderohet i miratuar nëse për të votojnë shumica e deputetëve të pranishëm në seancë. Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë.
Për miratimin e të këtij projektligji është shprehur edhe partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Haxhiu thekson se deputetët nuk duhet të hezitojnë për miratimin e këtij projektligji, për shkak se, sipas tij, ai do të lehtësonte situatën financiare të qytetarëve, pas shtrenjtimit të artikujve bazë.
Inflacioni në muajin prill të këtij viti ka arritur në rreth 11 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Ky projektligj gjendet në Komisionin për Buxhet dhe Transfere dhe pritet t'i dërgohet Kryesisë së Kuvendit për futje në rend dite për shqyrtim.
SHIKONI EDHE: Për dhe kundër tërheqjes së parave nga TrustiSipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.
Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.
Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.
Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.