Javën e ardhshme më 18 korrik, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pritet të takohet me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, në kuadër të vazhdimit të dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Partitë opozitare në Kosovë, të cilat mendojnë që Thaçi nuk duhet të përfaqësojë Kosovën në këtë proces, po synojnë ta ndalojnë rrugën e presidentit Thaçi.
Këtë dëshirojnë ta bëjnë në një seancë të jashtëzakonshme që pritet të mbahet dy ditë para takimit Thaçi-Vuçiq.
Partia Socialdemokrate ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për të thirrur seancë të jashtëzakonshme më 16 korrik, lidhur me fazën finale të dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit.
Deputeti i kësaj partie, Visar Ymeri, i tha Radios Evropa e Lirë, se kanë diskutuar edhe me partitë tjera opozitare, duke përfshirë LDK-në dhe Vetëvendosjen, për të thirrur këtë seancë të jashtëzakonshme, për të diskutuar edhe njëherë rolin e presidentit Hashim Thaçi në bisedimet me Serbinë.
Sipas tij, Thaçi nuk ka mandat për të udhëhequr këtë proces dhe siç u shpreh ai, diskutimi dhe vendimmarrja duhet t’i kthehet Kuvendit, si organi më i lartë legjislativ.
“Ky dialog të ndërpritet për sa kohë që nuk kemi një vendimmarrje nga Kuvendi i Kosovës. Ne konsiderojmë që rolin drejtues të dialogut duhet ta ketë Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta miratojë edhe platformën e dialogut, përfshirë vijat e kuqe dhe temat që nuk duhet diskutuar në këtë dialog dhe pastaj edhe përfaqësimin e Republikës së Kosovës në këtë proces të dialogut”, tha Ymeri.
Edhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në vazhdimësi e kanë kundërshtuar udhëheqjen e bisedimeve nga presidenti Thaçi, i cili, sipas tyre, nuk ka kompetenca kushtetuese dhe legjitimitet politik për të udhëhequr dialogun.
Ndërkaq, deputetët e partisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, kanë iniciuar një rezolutë për ndërprerjen e dialogut me Serbinë deri në liberalizimin e vizave për Kosovën.
Sipas deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndonëse liberalizimi i vizave dhe dialogu janë procese të ndara, Kosova ka bërë shumë koncesione në këtë dialog e nuk ka marrë asgjë mbrapa.
Deputeti i kësaj partie, Rasim Selmanaj tha për Radion Evropa e Lirë se është e palogjikshme që të vazhdohet ky dialog, derisa qytetarët e Kosovës, vazhdojnë të jenë të izoluar.
Ai tha se po presin edhe mbështetjen e partive të tjera parlamentare për këtë rezolutë.
“Ta kemi një debat në Parlament edhe normalisht të vijmë deri te një rezolutë që fillimisht të ndodhë liberalizimi dhe pastaj dialogu, sepse nuk ka logjikë që ne të mbetemi të izoluar dhe të hyjmë në dialog me Serbinë. Andaj mendojmë se është një ide dhe iniciativë e qëlluar, por se cila do të jetë përmbajtja përfundimtare e një rezolute të mundshme, do të shohim se si do të zhvillohet debati brenda parlamentit”, theksoi deputeti Selmanaj.
Takimi i fundit ndërmjet presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq është zhvilluar më 15 qershor në Bruksel.
Të dy presidentët kanë paralajmëruar tashmë kompromise e vendime të vështira, por të cilat nuk i kanë trajtuar para opinionit.