Zgjedhjet lokale nuk shtyhen

Një qytetar në Prishtinë duke votuar në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 14 shkurt 2021.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor, ashtu siç ka qenë e caktuar më herët.

Osmani i bëri komentet pas një takimi me përfaqësues të partive politike për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, për shkak të situatës së rënduar pandemike.

Osmani tha se pushteti dhe opozita nuk janë pajtuar për zhvendosjen e datës.

"Kushtetuta është e heshtur për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve dhe mundësia e vetme, sipas standardeve ndërkombëtare, është që të arrihet një pajtim midis partive në pushtet dhe atyre në opozitë për një gjë të tillë. Ky konsensus për momentin mungon. Data e zgjedhjeve mbetet ashtu siç ka qenë", tha Osmani.

Takimi midis presidentes Osmani dhe përfaqësuesve të partive politike u zhvillua pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, nga frika e rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus.

Kosova, javëve të fundit, është përballur me valë të rëndë të infektimeve dhe vdekjeve nga koronavirusi.

Të hënën, përqindja e të infektuarve ka qenë në rënie të lehtë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se është në favor të shtyrjes së zgjedhjeve, por përfaqësuesit e partive opozitare nuk u pajtuan.

“Në mënyrë që ky përmirësim të mos ndalet dhe në mënyrë që të mos kemi një valë të re - për shkak se varianti Delta [i koronavirusit] është eksploziv në muajt nëntor dhe dhjetor - ne jemi për shtyrjen e zgjedhjeve. Sidoqoftë, ne nuk e imponojmë qëndrimin tonë. Le të merret cilido vendim që merret, ne do ta respektojmë atë. Por, jemi të brengosur, meqenëse nuk krahasohen zgjedhjet lokale me zgjedhjet parlamentare nacionale, nuk janë 110 kandidatë, janë diku 900 kandidatë... dhe nuk votohet vetëm një herë, por do të kemi edhe balotazh”, tha Kurti.

Ai nuk tregoi se për sa kohë është kërkuar shtyrja e zgjedhjeve.

Pas takimit me presidenten Osmani, përfaqësuesit e partive opozitare u shprehën kundër shtyrjes së zgjedhjeve.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se nuk beson se do të ketë shtyrje të procesit zgjedhor.

Ai tha se partitë opozitare janë të gatshme që të mos ketë fare fushatë zgjedhore ose të ketë vetëm disa ditë.

“Kërkova po ashtu edhe nga ana e Qeverisë që t’i japë prioritet vaksinimit të trupave zgjedhorë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe punonjësve të tij, të komisionerëve, të vëzhguesve të partive politike, në mënyrë që ata të jenë të mbrojtur dhe të mos jenë në rrezik të bartjes së infeksionit në ditën e zgjedhjeve. Kemi kërkuar edhe përshpejtim të procesit të vaksinimit”, tha Krasniqi.

“Nuk kishte pajtueshmëri për shtyrje të zgjedhjeve dhe kjo çështje është një e mirë për demokracinë", tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

"Unë kam propozuar që të shkurtohet fushata zgjedhore për të ruajtur shëndetin e njerëzve dhe kam marrë përgjigje vetëm nga PDK-ja dhe AAK-ja, por jo edhe nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Abdixhiku.

Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, po ashtu u shpreh kundër shtyrjes së zgjedhjeve, ashtu si edhe Qazim Rrahmani nga Partia e Ashkalinjve për Integrim.

Emilia Rexhepi, kryetare e Partisë së Re Demokratike, tha se ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

SHIKONI EDHE: Si mund të shkurtohet periudha e fushatës zgjedhore?

Krasniqi: Presidentja s’ka kompetencë për të shtyrë zgjedhjet

Albert Krasniqi, nga organizata Demokraci Plus (D+), tha se me këtë kornizë ligjore që ka Kosova, zgjedhjet nuk mund të shtyhen, pa marrë parasysh vullnetin që mund të ketë presidentja ose ndonjë prej partive politike.

Krasniqi tha për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuta e as ligjet nuk ia kanë përcaktuar si kompetencë presidentes anulimin apo shtyrjen e zgjedhjeve. Sipas tij, presidentja e ka për kompetencë vetëm shpalljen e zgjedhjeve.

“E vetmja mundësi për t’i shtyrë zgjedhjet është nëse shpallet gjendje e jashtëzakonshme, e aty pastaj zgjatet edhe mandati i kuvendeve komunale dhe kryetarëve të komunave, ose nëse partitë politike - të gjitha që janë në Parlament - pajtohen që të shtyhen zgjedhjet. Kështu krijohet një kornizë e përkohshme ligjore që i jep kompetencë presidentes për t’i shtyrë zgjedhjet”, tha Krasniqi.

SHIKONI EDHE: BE me mision vëzhgues të zgjedhjeve në Kosovë

Nëse veprohet jashtë këtyre rrethanave, sipas Krasniqit, do të ishte në kundërshtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të presidentes dhe nuk do të ishte shtyrje valide e zgjedhjeve.

Në mars të vitit 2020, kur në Kosovë kishin shpërthyer rastet e para me koronavirus, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte marrë vendim për shtyrjen e zgjedhjeve për kryetar të Podujevës.

Në maj të vitit të kaluar, kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, kishte kërkuar që të mbaheshin zgjedhjet.

Edhe në këtë rast, sipas Albert Krasniqit, nuk është respektuar korniza ligjore dhe ka qenë në kundërshtim me kompetencat e presidentit. Sipas tij, ky rast nuk do të duhej të merrej si precedent që të shtyhen sërish zgjedhjet.

Infektologu Hamdi Ramadani tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet të fokusohet në luftën kundër pandemisë, pasi aktualisht numri i të vdekurve nga koronavirusi është shumë i lartë.

“Çështja e shtyrjes së zgjedhjeve për disa ditë ose disa javë është krejtësisht politike, për çka subjektet politike duhet të merren vesh. Por, mendoj se çdo institucion, çdo qytetar, çdo politikan duhet të fokusohet në atë se si të luftohet pandemia COVID-19”, tha Ramadani.

Prej muajit të kaluar, Kosova ka regjistruar numra të lartë të të infektimeve me koronavirus dhe të viktimave. Vetëm gjatë dhjetë ditëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar 237 viktima.

Zgjedhjet e 17 tetorit janë zgjedhje të rregullta, të cilat, sipas legjislacionit në fuqi, mbahen çdo katër vjet.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur më 22 tetor, 2017.

Ligji për zgjedhjet lokale, në nenin katër, pika dy, thotë se zgjedhjet lokale “nuk mund të mbahen më herët se 60 ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se 30 ditë pas përfundimit të mandatit”.

Po ashtu, ky ligj përcakton se është në kompetencë të presidentit të shtetit që të shpallë zgjedhjet, por në këtë legjislacion nuk flitet për shtyrjen e zgjedhjeve.