Partitë opozitare kanë kritikuar marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave. Duke e quajtur një marrëveshje të dëmshme, ata thonë se me ketë marrëveshje, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti po e njeh legjitimitetin e institucioneve të Serbisë në territorin e Kosovës.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje më 30 shtator, e cila ndali tensionet trembëdhjetë ditëshe në dy pika kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë e Bërnjak.
Të hënën, më 4 tetor ka filluar vendosja e letrave ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targat e automjeteve që kalojnë në territorin e Kosovës dhe Serbisë. Ngasësit e automjeteve po pajisen me këto letra ngjitëse gjatë kalimit të kufirit.
Kjo pikë e marrëveshjes është kundërshtuar nga partitë opozitare në Kosovë, në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se Qeveria e Kosovës bëri një marrëveshje të dëmshëm, marrëveshje kjo e cila sipas tij, legalizoi targat me akronimet e qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Ministria e Brendshme e Serbisë.
“Ky është dëmi më i madh që i keni bërë Kosovës. Për dy dekada nuk ka pasur marrëveshje më të dëmshme sesa kjo që sot e kemi. Për dy dekada Serbia ka lëshuar targa që nuk janë njohur nga qeveria jonë. Dhe ajo arriti që me këtë marrëveshje t’i legalizonte targat ‘KM’, ‘PR’, ‘PZ’ e të tjera që i lëshon Serbia për qytetarët e Kosovës”, tha ai.
Tahiri ka kërkuar nga Qeveria Kurti që ta ndalë, atë që ai e cilësoi si hov të dëmshëm, dhe që sipas Tahirit është duke e dëmtuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se Qeveria e Kosovës me marrëveshjen e arritur në Bruksel, ka legalizuar autoritetin e Serbisë në territorin e Kosovës.
Ai tha se këto targa që lëshohen nga autoritetet serbe njihen si targa të Serbisë për territorin e Kosovës.
“Ajo që po shohim ne sot kemi një marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për tërheqjen e forca policore të Kosovës nga veriu. Pse duhet qeveria të bëjë marrëveshje për t’u tërhequr nga pjesë e territorit të vetë”, tha Gashi gjatë seancës plenare.
Your browser doesn’t support HTML5
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili njëherësh është edhe shef i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, i ka quajtur të pavërteta dhe tendencioze deklaratat e shefave të grupeve parlamentare të dy partive opozitare, PDK dhe LDK.
“Marrëveshja u cilësua nga ju edhe si më e dëmshme se Zajendica (v.j. Asociacioni i komunave me shumicë serbe), më e dëmshme se Marrëveshja për energjinë e Marrëveshja për drejtësinë, më e dëmshme se bisedimet për ndarjen e Kosovës. Por, e vërteta është se kjo marrëveshje është krejt ndryshe nga ato paraprake. Ata të cilët marrëveshjet paraprake i shohin si të mira, nuk kanë si ta shohin këtë marrëveshje si jo të keqe. Ata të cilët marrëveshjet paraprake i shohin të këqija, nuk kanë si ta shohin këtë marrëveshje si të mirë”, tha Bislimi.
Bislimi po ashtu iu është përgjigjur deputetëve të opozitës duke thënë se janë të pavërteta akuzat që po i bëhen qeverisë lidhur me marrëveshjen për targat.
“Folësi i parë tha se për dy dekada Serbia ka lëshuar targa ilegale dhe nuk janë pranuar kurrë nga Kosova. Kjo është gjysmë e vërtetë. E vërteta është se për dy dekada kanë lëshuar targa ilegale, por e pavërtetat është që nuk janë pranuar nga Kosova . Ato janë toleruar dhe janë pranuar”, tha Bislimi.
SHIKONI EDHE: Escobar: Kosova ka pasur të drejtë në reciprocitet, por u befasuam me mënyrën
Sipas tij, marrëveshja e 27 tetor të vitit 2015, e arritur në kohën e qeverisës së Isa Mustafa, në pikën e 4 që ka të bëjë për çështjen e letrave ngjitëse, thuhet se kjo nuk do të aplikohet për qytetarët e Kosovës që mbajnë targa të Serbisë me denoninime regjionale të Kosovës.
Kjo sipas Bislimi do të thotë se marrëveshja për targat ‘KM’ i ka trajtuar si targa të Kosovës. Në një intervistë për REL-in, Bislimi ka thënë se targat me akronimet e qyteteve të Kosovës, siç janë ‘KM’, ‘PZ’ dhe ‘PR’, që lëshohen nga Ministria e Brendshme e Serbisë, nuk do të ekzistojnë pas 21 prillit 2022.
SHIKONI EDHE: Heshtja e autoriteteve të Kosovës për targat jolegale në veriMë 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, e cila obligonte të gjithë shoferët e automjeteve me targa të Serbisë t’i hiqnin ato dhe t’i zëvendësonin me targa të përkohshme prej letre.
Kjo nxiti pakënaqësinë e serbëve lokalë në veri të Kosovës, të cilët nga 20 shtatori deri më 2 tetor, bllokuan rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Por, me marrëveshjen e arritur në Bruksel, përveç letrave ngjitëse, që mbulojnë simbolet shtetërore në targat e Kosovës dhe Serbisë, palët u pajtuan që të hiqen barrikadat e vendosura në Jarinjë e Bërnjak si dhe të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
Në këto dy pikëkalime, për dy javë do të qëndrojnë pjesëtarët e misionit të KFOR-it.