Opozita në Serbi i reagon Vuçiqit për rezultatin e bisedimeve në Ohër 

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Liderët e disa partive opozitare në Serbi, kanë reaguar lidhur me arritjen e pajtueshmërisë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Bashkimi Evropian ka thënë të shtunën nga Ohri, se marrëveshja është arritur pas disa orëve diskutime, ndonëse nuk është nënshkruar.

SHIKONI EDHE: Aneksi i zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Më 19 mars, Vuçiq ka thënë se nuk ka nënshkruar asnjë dokument “sepse Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, e Kosova jo”, dhe se një marrëveshje juridike ndërkombëtare nuk mund të bëhet.

Sipas tij, Serbia mund të punojë në zbatimin e propozimit të BE-së “deri në vijat e kuqe”.

SHIKONI EDHE: Vuçiq: Serbia nuk mund të nënshkruajë marrëveshje juridike ndërkombëtare me Kosovën

Kryetari i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Pavle Gërboviq, e ka vlerësuar si lajm shumë të rëndësishëm faktin që Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, do të bëhet pjesë e kornizës së negociatave dhe pjesë e kapitullit 35 në negociatat e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Është e pamundur të jesh politikan pro-evropian, të angazhohesh për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe të jesh kundër kësaj marrëveshjeje. Pyetja për ne është se a pranojmë të jemi pjesë e hapësirës politike të krijuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, apo jo”, ka thënë Gërboviq në TV N1.

Lideri i lëvizjes së djathtë Dveri, Boshko Obradoviq, vlerësoi se zgjidhja e vetme e krizës politike është dorëheqja e presidentit Vuçiq dhe bëri thirrje për tubime të qytetarëve kundër planit evropian.

Ai theksoi se Vuçiq “në mënyrë të paautorizuar ka marrë përsipër obligimin” në Ohër që të fillojë zbatimin e Marrëveshjes që e ka pranuar më 27 shkurt në Bruksel, të cilën Obradoviq e ka vlerësuar si një lloj grushtishteti.

SHIKONI EDHE: Hovenier: U arrit një marrëveshje e rëndësishme

Kundër pranimit të Marrëveshjes është edhe kryetarja e partisë së djathtë serbe Zavetnici (Të betuarit), Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski.

Ajo vlerësoi për TV N1, se presidenti Vuçiq, të shtunën u pajtua me ultimatumin “në tërësinë dhe në kapacitetin e plotë të tij”.

“Në aneks qëndron termi ‘obligohen’. Terma të tillë gjenden në marrëveshjet ndërkombëtare”, tha ajo.

Kryetari i Lëvizjes “Serbia Qendra”, Zdravko Ponosh, tha se Aleksandar Vuçiq doli i kënaqur nga negociatat e Ohrit, sepse i kishte arritur të dyja qëllimet që i kishte vënë vetes, “e para – që ai të mos nënshkruajë asgjë, pavarësisht se në emër të Serbisë ai ka marrë përsipër obligimin, dhe e dyta – që përgjegjësinë për përmbushjen e atyre obligimeve të marra, t’ua bartë të tjerëve”.

Në një tekst autorial për portalin Nova, Ponosh ka thënë se përparimi i Serbisë në rrugën e integrimeve evropiane tani do të kushtëzohet në mënyrë të pandashme nga përmbushja e detyrimeve nga Marrëveshja, për të cilën ka dhënë pëlqimin Vuçiq.

SHIKONI EDHE: Pesë gjërat kryesore nga takimi i Ohrit

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai ka thënë se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka thënë se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.

“Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”, ka shtuar Vuçiq.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.