Lidhur me vendimin negativ të Bashkimit Evropian për të hapur negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski, e ka fajësuar qeverinë e kryeministrit, Zoran Zaev. Kryetari i VMRO DPMNE-së, tha se lajmi për mos marrjen e datës është i keq, por për këtë dështim, sipas tij, “nuk është fajtor populli, por drejtuesit e pushtetit aktual”.
“Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se shteti po hyn në një fazë të dëshpërimit, dhe e gjithë kjo është pasojë e politikave të gabuara të qeverisë viteve të fundit. Pajtohem se mos marrja e datës është dështim, por jo dështim i popullit maqedon dhe qytetarëve të Maqedonisë. Ky është dështim i politikave të Zoran Zaevit dhe këtij pushteti, pa koncept, pa vizion, me shumë kriminalitet, korrupsion, papunësi dhe mashtrime”, ka deklaruar lideri i opozitës duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Sa do që të kundërshtojë pushteti zgjedhjet, ato do të jenë të pashmangshme dhe me do to do të vjen edhe fundi i politikave të Zoran Zaevit”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Ai ka kërkuar një takim të liderëve të partive politike në të cilin, siç tha, do të diskutohej për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.
SHIKONI EDHE: Liderët e BE-së pa pajtim lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e VeriutTakimi i kryetarëve të partive do të mbahet, të dielën, me ftesë të presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Presidenti maqedonas, duke komentuar zhvillimet e fundit, ka theksuar se për momentin Maqedonia e Veriut ka nevojë për unitet për të çuar para realizmin e reformave.
“Duhet patjetër të vazhdojnë reformat në shumë sfera, veçanërisht funksionimin e shtetit juridik”, ka thënë Pendarovski.
Përderisa nga kreu i qeverisë, Zoran Zaev, të premten nuk ka pasur asnjë deklaratë, përpos njoftimit nga kabineti qeveritar se kryeministri i Maqedonisë së Veriut është duke u koordinuar në të gjitha nivelet për hapat e ardhshëm.
Pas një debati të gjatë, liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë dështuar që të arrin pajtim për vendimin lidhur me nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për këtë temë, në samitin e BE-së u diskutua të enjten deri në orët e vona.
SHIKONI EDHE: Rama: Mosmarrja e datës, rezultat i mospajtimit të BE-së për arsye të sajEdhe pse ka dominuar qëndrimi se Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet dhënë vendim pozitiv, pasi kanë përmbushur kriteret e kërkuara, liderët e BE-së nuk kanë arritur konsensus. Disa liderë kanë shprehur keqardhje dhe zhgënjim për këtë dështim, duke shfaqur frikën se kjo gjë mund të ndikojë negativisht në besueshmërinë e BE-së në rajon dhe mund ta destabilizojë rajonin e Ballkanit Perëndimor.