Partitë opozitare në Maqedoninë e Veriut kanë intensifikuar kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, në veçanti pas zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 20 gusht në tri komuna të Maqedonisë së Veriut.
Fitorja e Lëvizjes Besa ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë dhe epërsia e madhe në këtë qytet e VMRO DPMNE-së opozitare ndaj socialdemokratëve të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, sipas dy partive, është e mjaftueshme për çuarjen e vendit në zgjedhje të reja për shkak të pretendimit të tyre se qeveria e ka humbur legjitimitetin.
Sipas VMRO DPMNE-së, qytetet më të mëdha të Maqedonisë së Veriut janë nën drejtimin e opozitës, andaj edhe “duhen zgjedhje që edhe pushteti qendror të kalojë në duart e opozitës”.
“Në qytetet më të mëdha të Maqedonisë [së Veriut] Qeveria nuk ka legjitimitet. Janë dhjetë qytete të mëdha, përfshirë edhe Shkupin. Kjo do të thotë se sa më shpejt që është e mundur Maqedonia [e Veriut] duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, duhet të ketë qeveri e cila është e aftë dhe e përgjegjshme dhe e cila do ta udhëheqë vendin në këtë krizë të vështirë që është si rezultat i kësaj qeverie të paaftë”, ka deklaruar Vlatko Gjorçev, përfaqësues i VMRO DPMNE-së.
Të njëjtën e ka kërkuar të shtunën në mbrëmje edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, që drejton Lëvizjen Besa. Kjo parti ka fituar numrin më të madh të anëtarëve në Kuvendin Komunal dhe tani kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Sigurisht që legjitimiteti i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut nuk është më me BDI-në. Prandaj, ne edhe një herë nga sheshi i Tetovës, kërkojmë zgjedhje të parakohshme që vullneti i shqiptarëve nga Struga në Kumanovë të vijë në vend dhe përfundimisht shqiptarët të kenë një përfaqësues të denjë edhe në pushtetin qendror ashtu siç tashmë e kanë në Tetovë”, ka deklaruar Kasami.
Por, partitë që janë pjesë e Qeverisë, në veçanti Lidhja Social Demokrate, ka hedhur poshtë kërkesën e opozitës për zgjedhje bazuar në fitoren e kësaj partie në dy komunat e vogla ku fituan kandidatët e saj.
“Fitorja e dyfishtë e LSDM-së dhe koalicionit qeverisës, në komunat Zhupë dhe Mavrovë, është edhe një konfirmim i politikave të drejta që ne i zbatojmë. Qytetarët dërguan një mesazh të fortë, të qartë se duan përparim, shtet evropian dhe vlera evropiane. Kishte zgjedhje të jashtëzakonshme lokale në dy komuna dhe në të dyja komunat VMRO-DPMNE pësoi humbje”, ka deklaruar zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Njohësi i çështjeve politike, Bllagojçe Atanasovski, thotë se zgjedhjet e 20 gushtit, në veçanti ato në komunat e vogla, nuk mund të jenë indikator për matjen e forcave mes partive politike mes partive maqedonase, ndërsa befasues, sipas tij, është rezultati i zgjedhjeve në Tetovë.
“Për mua me interes është rezultati i zgjedhjeve lokale te partitë shqiptare. Befasuese është fitorja e Lëvizjes Besa. Për herë të parë pas 20 vjetëve BDI-ja humb shumicën në këtë komunë. Ngjashëm është edhe në qytetin e Gostivarit ku BDI-ja, po ashtu, kishte humbur në zgjedhjet e fundit. E gjithë kjo flet për një klimë të re, për një pakënaqësi nga politikat e qeverisjes së BDI-së me Tetovën, por kjo nuk do të thotë se kjo parti mund të humbë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thotë Atanasovski.
Ai konsideron se partitë, në vend se të kërkojnë zgjedhje të parakohshme duhet të analizojnë fenomenin e daljes gjithnjë e më të ulët të qytetarëve në votime.
Në zgjedhjet lokale në Tetovë në votime dolën 35 për qind e qytetarëve me të drejtë vote apo 10 për qind më pak se zgjedhjet e para një viti.
“Kjo flet se qytetarët pas 30 viteve demokraci janë të dëshpëruar nga liderët dhe ofertat e partive politike. Në çdo cikël zgjedhor kemi dalje gjithnjë e më të ulët në votime. Nëse partitë nuk korrigjohen në oferta serioze dhe politika të qëndrueshme edhe në zgjedhjet e ardhshme, qoftë parlamentare apo presidenciale do të ketë dalje të ulët në votime”, vlerëson Atanasovski.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë mbajtur më 15 korrik të vitit 2020.
Qeveria, që drejtohet nga Dimitar Kovaçevski, u formua në janar të vitit 2022 duke zëvendësuar Zoran Zaevin, i cili dha dorëheqje pas disfatës në zgjedhjet lokale, më 31 tetor të vitit 2021.
Kovaçevski disa herë ka thënë se zgjedhjet e radhës do të jenë të rregullta dhe do të mbahen në vitin 2024.