Partitë opozitare në Kosovë kritikuan Qeverinë e Kosovës për, siç thanë, dështimin për ta menaxhuar procesin e vaksinimit të qytetarëve kundër koronavirusit.
Reagimet e dy partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vijnë pasi në mëngjesin e së premtes, Policia e Kosovës u desh të ndërhyjë për të vënë rend pranë sallës “1 Tetori” në Prishtinë, ku ishin mbledhur një numër i madh qytetarësh, për t’u vaksinuar kundër koronavirusit.
Në sallën “1 Tetori”, prej 12 majit, ka nisur vaksinimi i personave mbi 65 vjeç.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, tha në një konferencë për media se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti duhet të mbajë përgjegjësi morale dhe penale, pasi, sipas tij, shteti ka bërë “krim ndaj qytetarëve”.
“Sot ishim dëshmitarë të skenave tronditëse, ku të moshuarit shtyheshin me njëri-tjetrin, pa fajin e tyre, për ta marrë një vaksinë, ndërsa Qeveria, kryeministri Kurti, ministri [i Shëndetësisë, Arben] Vitia i kishin braktisur ata dhe po i braktisin çdo ditë qytetarët në një betejë të vështirë me pandeminë”.
“Sot ishim dëshmitarë se mungoi shteti, mungoi kryeministri dhe mungoi ministri i Shëndetësisë. Kjo për ne, si PDK, është e papranueshme dhe është e patolerueshme”, tha Hoxhaj.
Video:
Your browser doesn’t support HTML5
Deputeti i LDK-së, njëherësh ish-ministër i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se pamjet e sotme pranë sallës “1 Tetori” janë pasojë e neglizhencës së ekzekutivit.
“Qeveria, e udhëhequr nga Albin Kurti, dhe ministri Vitia sot kanë rrezikuar qytetarët, duke u bërë shpërndarës të infeksionit, por edhe duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre”, tha Zemaj.
Zemaj tha se Qeveria Kurti nuk po e respekton as planin e imunizimit kundër sëmundjes që e shkakton koronavirusi, COVID-19, dhe ftoi organet kompetente që të hetojnë këtë gjë.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës tha të premten se në sallën “1 Tetori” mund të vaksinohen vetëm qytetarët e Prishtinës.
Ministria tha se grumbullimi i një numri të madh të personave në qendrën e vaksinimit në Prishtinë është rezultat i shkuarjes së qytetarëve të komunave të tjera atje.
“Qytetarët e komunave të tjera të Republikës së Kosovës luten që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre, me qëllim që të marrin informatat e duhura dhe të vaksinohen”, tha Ministria e Shëndetësisë.
Në Kosovë, imunizimi i qytetarëve kundër COVID-19 bëhet përmes një plani të ndarë në tri faza.
Në fazën e parë janë vaksinuar të moshuarit mbi 80 vjeç, punëtorët shëndetësorë dhe personat me sëmundje kronike.
Në fazën e dytë është paraparë që të vaksinohen personat 65-79 vjeç, mësuesit dhe forcat e sigurisë, të përfshira në menaxhimin e pandemisë.
Ndërkaq, në fazën e fundit është thënë se do të vaksinohen 50 për qind e popullatës.
SHIKONI EDHE: Kosova, sytë nga donatorët për vaksinaAktualisht, Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nënshkruar kontratë me ndonjë kompani farmaceutike për sigurimin e vaksinave.
Vaksinimi po bëhet me vaksinat e dhëna donacion nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga Bashkimi Evropian.