Opozita dënon dhunën në veri, bën thirrje për shtensionim  

Dhuna gjatë përleshjes së disa protestuesve me ushtarët e KFOR-it, Zveçan 29 maj 2023.

Partitë opozitare në Kosovë kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri, si dhe kanë dënuar sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve.

Partia Demokratike të Kosovës (PDK), duke shprehur shqetësim për tensionet e krijuara, u kanë kërkuar krerëve institucionalë në Kosovë që të “ndikojnë në qetësimin e situatës, rikthimin e normalitetit dhe evitimin e përshkallëzimit të mëtutjeshëm të gjendjes”.

“Rikthimi i normalitetit është parakusht i fillimit të një qeverisjeje komunale të mirëfilltë, gjithëpërfshirëse dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunave në pjesën veriore të vendit”, thanë PDK në një deklaratë të postuar në Facebook.

Kjo parti, tha se "e kupton drejt seriozitetin e situatës dhe tensionin e ngritur në komunat e pjesës veriore të vendit" dhe ftoi presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurti që “të mbledhin urgjentisht Këshillin e Sigurisë së Kosovës”.

SHIKONI EDHE: Qetësohet situata në Mitrovicë të Veriut

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thotë se veprimet e matura politike janë të domosdoshme për të evituar çfarëdo përshkallëzimi të mëtutjeshëm të situatës në komunat në veri.

“Koordinimi me miqtë tanë ndërkombëtarë është jetik. Institucionet e Kosovës duhet të sigurohen që asnjë veprim i mëtutjeshëm të mos bëhet pa koordinim të ngushtë me ta”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sulmet e dhunshme dhe të paprovokuara, sipas LDK-së, nuk kanë vend në shtetet demokratike dhe duhet të ndalen menjëherë.

LDK thotë se institucionet e rendit dhe ligjit të sjellin të gjithë kryerësit e sulmeve të tilla para drejtësisë.

Për situatën në veri ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se “sulmet kriminale ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe forcave të rendit, janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë”.

Your browser doesn’t support HTML5

Dhunë, gaz, tension: Zhvillimet në veri në dy minuta

Ai iu ka bërë thirrje të gjitha palëve që t'i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për qetësimin e situatës.

Tensionet u rindezën në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit - të gjithë shqiptarë - u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Më 26 maj, pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe me gaz lotsjellës.

Ndërsa të hënën e 29 majit, të paktën 25 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur si pasojë e përleshjeve me qytetarët serbë në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës.

SHIKONI EDHE: Qeveria e Kosovës akuzon Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”

Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe.

Por, ata u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.