Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të mërkurën paralajmëroi se varianti Omicron i koronavirusit mund të bëhet dominues në Evropë muajin e ardhshëm, por shtoi se blloku evropian ka vaksina të mjaftueshme për ta luftuar pandeminë.
"Nëse shikoni kohën që duhet që rastet e reja të dyfishohen në numër, duket se po dyfishohet çdo dy ose tri ditë. Dhe kjo është masive. Na është thënë që nga mesi i janarit duhet të presim që Omicron do të jetë varianti i ri dominues në Evropë”, tha von der Leyen në Parlamentin Evropian teksa tregoi të dhënat shkencore.
"Por, gjatë vitit të kaluar, ne kemi punuar shumë dhe kemi arritur një marrëveshje të madhe dhe kjo është arsyeja pse Evropa është në një pozicion më të mirë tani për të luftuar virusin”, tha ajo.
Von der Leyen tha se në BE, 66.6 për qind e popullsisë tashmë janë të vaksinuar me të dy dozat.
Your browser doesn’t support HTML5
Evropa po përjeton një valë të re të pandemisë dhe disa shtete kanë rivendosur masa për frenimin e koronavirusit. Italia këtë javë mori vendim që të kërkojë teste negative nga të gjithë personat që vizitojnë Italinë. Një masë të ngjashme e ka prezantuar edhe Portugalia e cila do të kërkojë teste negative dhe certifikata të vaksinave, të gjithë personave që hyjnë në shtet, pavarësisht nga kombësia.
OBSH: Vaksinat mund të jenë më pak efektive kundër variantit Omicron
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të mërkurën se të dhënat e para tregojnë se vaksinat kundër koronavirusit mund të jenë më pak efektive kundër infeksionit dhe transmetimit të variantit Omicron, i cili gjithashtu mbart një rrezik më të lartë të riinfektimit.
OBSH-ja në përditësimin e saj javor epidemiologjik tha se nevojiteshin më shumë të dhëna për të kuptuar më mirë shkallën në të cilën Omicron mund të shmangë imunitetin e fituar nga vaksinat apo infeksionet e mëparshme me COVID-19.
"Si rezultat i kësaj, rreziku i përgjithshëm në lidhje me variantin e ri shqetësues, Omicron mbetet shumë i lartë”, tha OBSH-ja.
Your browser doesn’t support HTML5
Varianti Omicron fillimisht u identifikua në Afrikën e Jugut muajin e kaluar dhe që atëherë është raportuar në 77 shtete të botës. Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus një ditë më herët deklaroi se ky variant nuk duhet të cilësohet si më i “lehtë” se variantet paraprake, duke shtuar se ky variant mund të jetë përhapur në pothuajse gjithë botën.
“Omicroni po përhapet me një shpejtësi që nuk e kemi parë me asnjë variant paraprak. Edhe nëse Omicroni shkakton sëmundje më të lehtë, nëse rritet numri i rasteve do të mund të mbingarkojë sërish sistemet shëndetësore”, tha Tedros.
Ai shtoi se dozat përforcuese mund të ndihmojnë në frenimin e përhapjes së COVID-19 për aq kohë sa njerëzit që kanë më së shumti nevojë për to kanë qasje në këto doza, deklaroi kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Është pyetja e prioritizimit. Ka rëndësi se kush ka qasje në këto doza. Dhënia e dozave përforcuese te grupet e njerëzve që kanë rrezik të ulët nga sëmundja e rëndë apo vdekja, vë në rrezik jetën e njerëzve që janë në kategorinë e personave me rrezik të lartë e të cilët ende po presin që të marrin dozat e para, për shkak se ka mungesë të furnizimeve me vaksina”, tha kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Ndërkaq, kreu i aleancës së vaksinave Gavi, Seth Berkley tha se të dhënat e para sugjerojnë se shtetet e pasura kanë nisur që të mos dhurojnë vaksina për shtetet e tjera, nga frika e variantit Omicdron, duke paralajmëruar se po përsëritet padrejtësia për qasjen në vaksina.
“Me variantin Omicron me po shohim panik në shumë shtete që kanë përshpejtuar fushatën e vaksinimit, edhe sa i përket numrit të njerëzve që po vaksinohen, por edhe sa i përket kohës se kur po administrohen vaksinat”, tha ai për Associated Press.
Ai iu referua dozave shtesë që shtetet e pasura po administrojnë te personat, duke përfshirë edhe imunizimin e qytetarëve që nuk konsiderohen se janë në kategorinë me rrezik të lartë të infektimit.