Kombet e Bashkuara kanë thënë të martën se një aktivist për edukimin e vajzave është arrestuar këtë javë në Kabul, si dhe u kanë bërë thirrje talibanëve që të sqarojnë arsyen e ndalimit të tij.
As zëdhënësit e Ministrisë së talibanëve për Informacion dhe as ata të agjencisë së inteligjencës, nuk u janë përgjigjur kërkesave për të komentuar apo konfirmuar ndalimin.
"Matiullah Wesa, udhëheqës i (Pen Path) dhe mbrojtës i të drejtës së grave për edukim, është arrestuar të hënën në Kabul”, ka thënë Misioni i OKB-së në Afganistan (UNAMA) përmes një deklarate.
“UNAMA u bën thirrje autoriteteve de facto që të japin detaje për vendndodhjen e tij, arsyet e arrestimit dhe t’i sigurojnë atij përfaqësim ligjor dhe kontakt me familjen”.
SHIKONI EDHE: Arti si terapi: Afganet pikturojnë përjetimet e tyre nën regjimin e talibanëveWesa ka vite që mbron të drejtën e grave për edukim, sidomos në zonat më konservatore.
Organizata e tij, Pen Path, ka mbajtur disa takime me pleqtë e fiseve dhe i ka inkurajuar komunitetet dhe autoritetet që të hapin shkolla.
Administrata e talibanëve ua ka ndaluar edukimin shumicës së grave.
Ato mund të vijojnë vetëm shkollimin fillor, por jo edhe atë të mesëm apo universitar.
SHIKONI EDHE: OKB: Regjimi taliban për gratë afgane, më represivi në botëZyrtarët kanë thënë se janë duke punuar në rihapje të shkollave, mirëpo pa dhënë afate kohore kur mund të ndodhë diçka e tillë.