Kombet e Bashkuara thanë më 17 qershor se katër muaj pas pushtimit rus të Ukrainës, situata humanitare në lindje të Ukrainës ka arritur në nivel “jashtëzakonisht alarmues” dhe po vazhdon të përkeqësohet.
“Pothuajse katër muaj që prej nisjes së luftës, situata humanitare në mbarë Ukrainën –veçanërisht në Donbas – është jashtëzakonisht alarmuese dhe po vazhdon të përkeqësohet me shpejtësi”, tha përmes një deklarate agjencia humanitare e OKB-së, OCHA.
OCHA tha se situata “është veçanërisht shqetësuese në dhe përreth Severodonjeckut”, qytetit lindor ukrainas, ku për javë të tëra po zhvillohen luftime të ashpra.
“Në Severodonjeck, siç thamë, mijëra persona – përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar – po përjetojnë bombardime të vazhdueshme dhe luftime”, u tha në deklaratë.
“Palët në konflikt nuk kanë arritur një marrëveshje për të lehtësuar evakuimin e sigurt të civilëve apo për të ofruar qasje të punëtorëve të ndihmës, me qëllim që të jepet ndihma urgjente”.
SHIKONI EDHE: Luftime dhe bombardime të ashpra në lindje të UkrainësOKB-ja tha se në këtë qytet ka mungesë “të qasjes në ujë të pastër, ushqim, rrymë dhe produkte sanitare”.
Kjo organizatë po ashtu tha se “armiqësitë aktive po vazhdojnë të përshkallëzohen” në lindje të Ukrainës dhe se lufta, “po ka një barrë të rëndë ndaj civilëve, përfshirë edhe punëtorët e ndihmës”.
“Pavarësisht sfidave të mëdha në qasje, OKB-ja dhe partnerët humanitarë kanë arritur të ndihmojnë mbi 8.8 milionë qytetarë në mbarë Ukrainën qëkur ka nisur lufta”, u tha në deklaratë.