Lajme të mira dhe të këqija në luftën kundër SIDA-s

Ilustrim

SIDA ka marrë një milion jetë njerëzish në vitin 2016, bën të ditur një raport i Kombeve të Bashkuara, i publikuar të enjten.

Shifra paraqet rënie për afro 50 për qind krahasuar me vitin 2005, kur epidemia vdekjeprurëse ka qenë në kulmin e saj.

Në mbarë botën, vdekjet e lidhura me SIDA-n kanë rënë nga 1.9 milion në vitin 2005 në një milion në vitin 2016”, thuhet në raport.

I njëjti thekson se numri i njerëzve me virusin HIV, të cilët kanë qasje në trajtim mjekësor është rritur mbi 50 për qind për herë të parë.

Në vitin 2016, 19.5 milionë njerëz nga 36.7 milionë që jetojnë me virusin HIV kanë pasur qasje në trajtim”, thuhet në raporton e UNAIDS-it.

Aty po ashtu theksohet se përparimi më i madh është bërë në lindje dhe jug të Afrikës, rajonin që ka qenë i goditur më së keqi nga epidemia.

Komunitetet dhe familjet po përparojnë, derisa SIDA po mposhtet”, tha drejtori ekzekutiv i UNAIDS-it, Michel Sidibe.

Derisa po e vëmë epideminë nën kontroll, rezultatet shëndetësore po përmirësohen dhe vendet po bëhen më të fuqishme”, tha ai.

Raporti i UNAIDS-it, megjithatë, thekson se vdekjet e lidhura me SIDA-n kanë shënuar rritje në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, si dhe në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Raporti saktëson se numri i rasteve të tilla është rritur për 48% në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut dhe për 38% në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, por nuk e përcakton periudhën kohore.

Njerëzit që injektohen me droga përbëjnë 42% të të infektuarve të rinj me virusin HIV në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, thekson raporti.

Sipas tij, në Rusi, rastet e reja të raportuara me HIV janë rritur për 75% nga viti 2010 deri më 2016.

Në raport përmenden disa faktorë që ushqejnë epideminë, por veçohet fakti se “shumë njerëz vazhdojnë të fillojnë trajtimin vetëm pasi pësojnë dëme të mëdha të sistemit imunitar”.

Virusi HIV shpërndahet vetëm me lëngje të caktuara trupore nga një person i infektuar. Këto lëngje përfshirjnë gjakun, spermën, qumështin e gjirit e të tjera.

Virusi e dobëson sistemin imunitar, duke e bërë trupin të cenueshëm ndaj infeksioneve të tjera.

Shkencëtarët thonë se origjina e epidemisë së SIDA-s është gjetur në vitet 1920 në qytetin Kinshasa të asaj që sot njihet si Republika Demokratike e Kongos.

HIV ka ardhur në vëmendjen globale në vitet 1980 dhe ka infektuar rreth 75 milionë njerëz.

Përgatiti: Valona Tela