Propozimi final për rezolutën për Srebrenicën i është dërguar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombe të Bashkuara, Dennis Francis, dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB.
Njoftimi u bë nga ambasadori i Bosnje e Hercegovinës në OKB, Zllatko Lagumxhija.
“Pas disa rundesh të konsultimeve gjithëpërfshirëse, propozimi final për rezolutën për ‘Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë më 1995’, i hartuar nga një grup shtetesh, i është dërguar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.
Në propozimin final për rezolutën, e cila iu dërgua Radios Evropa e Lirë nga Qendra Memoriale Potoçari, vendimi i OKB-së “për shpalljen e 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë më 1995, do të shënohet çdo vit”.
OKB-ja, siç thuhet në tekst, “dënon pa rezervë çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë si fakt historik dhe u bën thirrje shteteve anëtare të ruajnë faktet, përfshirë përmes sistemeve arsimore, duke zhvilluar programe ët përshtatshme, por po ashtu si shenjë të kujtesës, në mënyrë që të parandalohet mohimi dhe shtrembërimi i fakteve, dhe kryerja e gjenocidit në të ardhmen”.
Në propozimin final thuhet po ashtu se OKB-ja “dënon pa rezerva veprimet që madhërojnë ata që janë dënuar nga gjykatat ndërkombëtare për krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, përfshirë edhe përgjegjësit për gjenocidin në Srebrenicë”.
Në tekst po ashtu theksohet rëndësia e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të mbetjeve mortore të viktimave të gjenocidit në Srebrenicës, në mënyrë që ata të varrosen në mënyrë të dinjitetshme, dhe bëhen thirrje për vazhdimin e ndjekjes penale për kryesit e gjenocidit në Srebrenicë, të cilët ende nuk janë përballur me drejtësinë.
Rezoluta u bën thirrje “të gjitha shtetet që të respektojnë obligimet e tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe të drejtën ndërkombëtare zakonore për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit, duke respektuar vendimet përkatëse të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë [GJND]”.
Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së i kërkohet “të themelojë një program informues të titulluar ‘Gjenocidi në Srebrenicë dhe OKB-ja’”, që do të niste me aktivitete dhe përgatitje për 30-vjetorin e gjenocidit më 2025, duke i kërkuar po ashtu sekretarit që t’ua tërheqë vëmendjen të gjitha shteteve anëtare të kësaj rezolute, organizatave të OKB-së dhe atyre të shoqërisë civile që të tregojnë respektin e duhur”.
Po ashtu, rezoluta e OKB-së “u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare, organizatave të sistemit të OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare e rajonale dhe shoqërisë civile, përfshirë organizatave joqeveritare, institucioneve akademike dhe pjesëmarrësve të tjerë të rëndësishëm që të shënojnë Ditën Ndërkombëtare, përfshirë edhe shënime të veçanta dhe aktivitete për të përkujtuar dhe nderuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë më 1995, si dhe edukimin e aktivitetet e duhura për të rritur ndërgjegjësimin publik”.
Ditëve të fundit, konsultime joformale janë mbajtur në selinë e OKB-së në Nju Jork për draft-rezolutën që synon të shpallë 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
SHIKONI EDHE:
Jehu i Srebrenicës nxeh Vuçiqin e Dodikun Debat në OKB: Gjenocidi në Srebrenicë të dënohet globalishtSiç ishte njoftuar paraprakisht në ueb-faqen e OKB-së, në konsultimet për draft-rezolutën morën pjesë misionet e përhershme të Gjermanisë dhe Ruandës, së bashku me misionet e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kilit, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Jordanisë, Holandës, Lihtenshtajnit, Malajzisë, Zelandës së Re, Sllovenisë, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Ndërkaq, më 30 prill, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një seancë për Bosnje e Hercegovinën me kërkesë të Rusisë. Seanca u mbajt me arsyetimin për të diskutuar situatën e sigurisë dhe rreziqet e cenimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Rusia kërkoi mbajtjen e seancës pas letrës së Zhellka Cijanoviqit, anëtares serbe të Presidencës së Bosnjës që i dërgoi Këshillit të Sigurimit.
Seanca u mbajt në kohën kur Serbia dhe politikanët nga entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje, dhe aleatja e tyre, Rusia, po lobojnë kundër miratimit të rezolutës për gjencodin në Srebrenicë në OKB. Votimi i kësaj rezolute në Asamblenë e Përgjithshme gjatë majit.
SHIKONI EDHE: Republika Sërpska miraton raport që e mohon gjenocidin në SrebrenicëKur Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi të miratonte një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë nëntë vjet më parë, Rusia vendosi veto dhe miratimi dështoi. Kësaj radhe, rezoluta do të hidhet në votim në Asamblenë e Përgjithshme, ku nuk ka të drejtë të vetos.
Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, Beogradi dhe autoritetet në Republikën Sërpska mohojnë se në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë është kryer gjenocid.
Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e cilësoi si gjenocid krimin e kryer në Srebrenicë, ku më shumë se 8.000 burra dhe djem u vranë nga Ushtria e Republikës Sërpska.
Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjencodin dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë.