I dërguari i OKB-së paralajmëron se lufta Izrael-Hamas po përhapet në Siri

I dërguari i OKB-së për Sirinë, Geir Pedersen. Fotografi nga arkivi

Lufta Izrael-Hamas po përhapet në Siri, nxitur nga paqëndrueshmëria në rritje, dhuna dhe mungesa e përparimit drejt një zgjidhjeje politike për konfliktin 12-vjeçar, tha i dërguari i posaçëm për Sirinë në Kombet e Bashkuara.

Geir Pedersen tha para Këshillit të Sigurimit se përveç dhunës nga konflikti në Siri, sirianët tani po përballen “me mundësinë e tmerrshme të një përshkallëzimi të mundshëm më të gjerë” pas sulmit të 7 tetorit të Hamasit ndaj Sirisë dhe veprimeve hakmarrëse izraelite që po vazhdojnë.

“Përhapja [e luftës] në Siri nuk është vetëm rrezik, por veçse ka filluar”, tha i dërguari i OKB-së për Sirinë.

Pedersen përmendi sulmet ajrore, që i janë atribuuar Izraelit, të cilat kanë goditur disa herë aeroportet në Alepo dhe Damask, dhe sulmet hakmarrëse nga Shtetet e Bashkuara pasi Uashingtoni tha se herë trupat e tij u sulmuan “nga grupe që pretendoi se mbështeten nga Irani, përfshirë në territorin sirian”.

SHIKONI EDHE:

Irani: Sulmet e Izraelit në Gazë mund të detyrojnë të gjithë të veprojnëSHBA-ja i sulmon dy objekte të përdorura nga forcat iraniane në SiriSiria thotë se Izraeli sulmoi dy aeroporte të saj

Me rajonin “që është i tensionuar dhe i rrezikshëm” ai tha se “po hidhet më shumë benzinë në zjarrin që veçse ka filluar të ndizet” në Siri, shtet që ka përjetuar rritje të dhunës edhe para 7 tetorit.

Ai tha se numri i sirianëve të vrarë, plagosur dhe zhvendosur është më i lartë që nga viti 2020, duke theksuar se janë rritur sulmet në zonat e kontrolluara nga Qeveria.

Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, akuzoi “grupet terroriste”, disa prej të cilave mbështeten nga Siria dhe Irani, se po kërcënojnë që të zgjerojnë konfliktin në Gazë duke “përdorur territorin e Sirisë për të planifikuar dhe kryer sulme kundër Izraelit”. Ajo po ashtu akuzoi Sirinë se po lejon Iranin dhe grupet terroriste që të përdoren aeroportet ndërkombëtare siriane për qëllime ushtarake.

“SHBA-ja i ka paralajmëruar të gjithë aktorët që të mos tentojnë të shfrytëzojnë situatën në Gazë për të zgjeruar dhe thelluar konfliktin. Ne e kemi bërë të qartë se do të përgjigjemi ndaj sulmeve mbi personelin tonë dhe ndërtesat në Siri”, tha ajo.

SHIKONI EDHE: ‘Boshti i rezistencës’: Rrjeti i Iranit për krijimin e kaosit dhe luftimin e armiqve

Në Këshillin e Sigurimit, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë po ashtu bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar pasi tha se ky armëpushim “është shndërruar në çështje jetë a vdekje për miliona” persona.

Izraeli po vazhdon operacionet në Gazë me qëllim që të mposhtë Hamasin, pasi grupi militant palestinez kreu sulme në jug të Izraelit, duke vrarë mbi 1.400 persona – shumica civilë – dhe duke rrëmbyer mbi 200 të tjerë. Si pasojë e sulmeve hakmarrëse izraelite, në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 8.000 persona.