Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se ka nevojë për qasje të menjëhershme humanitare për të gjithë civilët që kanë nevojë për ndihmë në Siri dhe kthimin e procesit politik, të ndërmjetësuar nga OKB-ja, për t’i dhënë fund gjakderdhjes.
Që nga fundi i nëntorit, rebelët e udhëhequr nga islamistët, kanë nisur një ofensivë ndaj forcave të presidentit Bashar al-Assad, i cili mbështetet nga Rusia dhe Irani.
Rebelët, e udhëhequr nga grupi islamist, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), kanë bërë përparime të mëdha në ditët e fundit, përfshirë edhe marrjen e Alepos, qytetit më të madh në Siri.
Më 5 dhjetor ata hynë edhe në Hama, qytetin e katërt më të madh të Sirisë, teksa forcat qeveritare thanë se u tërhoqën nga qyteti “për të mbrojtur jetën e civilëve dhe për të parandaluar luftimet në qytet”.
Guterres u bëri thirrje “të gjithë atyre që kanë ndikim të bëjnë punën e tyre” për të ndalur vuajtjen e popullit në Siri, duke shtuar se të gjitha palët e përfshira në konflikt, janë të obliguar që të mbrojnë civilët.
“Dhjetëra mijëra civilë janë në rrezik në rajonin që veçse është përfshirë nga lufta”, u tha Guterres gazetarëve.
SHIKONI EDHE:
Ushtria siriane tërhiqet nga qyteti Hama pas përparimit të rebelëveLojtarët kryesorë në luftën civile në Siri Kush janë militantët që po marrin nën kontroll territor në Siri?
Përveç marrjes së kontrollit të Alepos, dhe hyrjes në Hama, rebelët po ashtu kanë marrë nën kontroll 14 fshatra dhe qyteza dhe i janë afruar deri në 35 kilometra Bazës Ajrore Khmeimim, që operohet nga rusët.
Siria ia dha këtë bazë ajrore Rusisë më 2015, pasi Moska e ndihmoi Damaskun që ta kthejë rrjedhën e luftës civile në favor të tij.
Përveç HTS-së – që është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara – rebelët përbëhen edhe nga një grup ombrellë i milicive siriane që mbështeten nga Turqia, që njihet me emrin Ushtria Kombëtare Siriane.
Kombet e Bashkuara kanë thënë më herët se dhjetëra mijëra civilë janë zhvendosur si pasojë e luftimeve.