Kombet e Bashkuara janë duke u kërkuar vendeve anëtare që të kontribojnë me 1 miliard dollarë për t’iu ndihmuar miliona njerëzve të prekur nga tërmeti që ka lënë të vdekur mbi 42.000 njerëz në Turqi dhe Siri.
“Sot Kombet e Bashkuara janë duke bërë thirrje për ndihmë humanitare prej 1 miliard dollarësh për popullin e Turqisë, që është duke vuajtur nga tërmeti më shkatërrues që e ka goditur këtë shtet në shekullin e fundit”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
SHIKONI EDHE: Tërmeti në Turqi, më vdekjeprurësi në historinë moderne të venditAi ka thënë se rreth 5.2 milionë njerëz kanë nevojë për këto fonde.
“Turqia është shtëpia e numrit më të madh të refugjatëve në botë dhe ka treguar bujari të madhe me fqinjët e saj sirianë përgjatë viteve”, ka thënë Guterres.
“Tani është koha që bota ta mbështesë popullin e Turqisë – ashtu siç ata kanë treguar solidaritet me vendet tjera që kanë kërkuar ndihmë”.
“Njerëzit janë duke vuajtur dhe nuk kemi kohë për të humbur” ka thënë Guterres, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndajë fonde për t’iu përgjigjur një prej “katastrofave më të mëdha natyrore të kohës sonë”.
Tërmeti i parë, 7.7 shkallë i Rihterit, ka goditur Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt, i përcjellë disa orë më vonë nga një tërmet 7.6 shkallë.
Më shumë se 42.000 njerëz kanë vdekur në të dyja vendet, derisa mijëra të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur.