Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) po planifikon mbledhjen e tij inauguruese për të adresuar rreziqet e mundshme të inteligjencës artificiale (IA) për paqen dhe sigurinë globale.
Takimi, i organizuar nga Mbretëria e Bashkuar, synon të eksplorojë mundësitë e pafundme të IA-së, duke pranuar gjithashtu rreziqe të rëndësishme, siç është përdorimi i mundshëm i kësaj teknoligjie në armët autonome ose kontrollin bërthamor.
Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Barbara Woodward, gjatë presidencës britanike të Këshillit këtë muaj, caktoi takimin më 18 korrik.
SHIKONI EDHE: Ekspertë paralajmërojnë se inteligjenca artificiale mund ta sjellë zhdukjen e njerëzimitNë këtë takim pritet të paraqiten prezantime nga ekspertë ndërkombëtarë të IA-së dhe nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, i cili së fundi ngriti shqetësime rreth ndikimit alarmues të IA-së të avancuar, duke theksuar veçanërisht shqetësimet e shprehura nga krijuesit e saj.
“Këta shkencëtarë dhe ekspertë i kanë bërë thirrje botës të veprojë, duke e deklaruar IA-në si një kërcënim ekzistencial për njerëzimin në të njëjtin nivel me rrezikun e luftës bërthamore”, tha shefi i OKB-së.
Guterres njoftoi planet për të emëruar një bord këshillues për inteligjencën artificiale në shtator për të përgatitur iniciativat që OKB-ja mund të ndërmarrë.
SHIKONI EDHE: Si do të mbrohet Evropa nga rreziqet e Inteligjencës Artificiale?Woodward në anën tjetër tha se Mbretëria e Bashkuar dëshiron të inkurajojë "një qasje shumëpalëshe për të menaxhuar si mundësitë e mëdha ashtu edhe rreziqet që inteligjenca artificiale ka për të gjithë ne", duke theksuar se "kjo do të kërkojë një përpjekje globale".
Ajo theksoi se ana e përfitimeve është e madhe, duke përmendur potencialin e IA-së për të ndihmuar programet e zhvillimit të OKB-së, për të përmirësuar operacionet e ndihmës humanitare, për të ndihmuar operacionet paqeruajtëse dhe për të mbështetur parandalimin e konflikteve, duke përfshirë mbledhjen dhe analizimin e të dhënave.
"Kjo mund të na ndihmojë potencialisht të mbyllim hendekun midis vendeve në zhvillim dhe vendeve të zhvilluara", shtoi ajo.
SHIKONI EDHE: Shefi i ChatGPT kërkon vendosjen e rregullave për inteligjencën artificialeNë muajin maj, kreu i kompanisë së inteligjencës artificiale që prodhon ChatGPT-në tha në një seancë dëgjimore në Senatin amerikan se ndërhyrja e qeverisë do të jetë kritike për zbutjen e rreziqeve të sistemeve gjithnjë e më të fuqishme të IA-së, duke thënë se ndërsa kjo teknologji përparon njerëzit janë të shqetësuar se si mund të ndryshojë jetën e tyre.
"Ne jemi gjithashtu të shqetësuar", kishte thënë ai.