OKB: Dhuna në Bregun Perëndimor mund të dalë jashtë kontrollit

Një palestinez duke vrapuar në rrugë gjatë përplasjeve me trupat izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, 13 qershor 2023.

Incidentet e reja të dhunës në Bregun e pushtuar Perëndimor mund të bëjnë që situata të dalë jashtë kontrollit, paralajmëroi shefi i departamentit për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara (OKB), Volker Turk.

“Këto vrasjet e fundit dhe dhuna, bashkë me retorikën nxitëse, shërbejnë vetëm për t’i shtyrë izraelitët dhe palestinezët më thellë drejt një humnere”, tha Turk më 23 qershor.

Sipas njoftimit të Zyrës së Komisionarit të Lartë për të drejtat e njeriut në OKB (OCHR), Turk tha se “përkeqësimi i mprehtë kishte një ndikim të tmerrshëm si te palestinezët, ashtu edhe te izraelitët” dhe bëri thirrje për një fund të menjëhershëm të dhunës.

Turk theksoi se autoritetet izraelite duhet t’u përmbahen ligjeve ndërkombëtare lidhur me përdorimin e forcës vdekjeprurëse.

Këtë javë, të paktën 18 persona janë vrarë në Bregun Perëndimor, në inkursione të ushtrisë izraelite ose në sulme të kryera nga palestinezë apo kolonë izraelitë.

Konflikti izraelito-palestinez, gjithnjë e më i përgjakshëm

Deri më tani këtë vit, më shumë se 200 njerëz kanë vdekur shkaku i dhunës së sjellë nga konflikti mes Izraelit dhe Palestinës. Shumica e viktimave, gjithsej 162, ishin palestinezë.

Incidentet vdekjeprurëse të dhunës janë shtuar gjatë ditëve të fundit në pjesën perëndimore të Bregut Perëndimor, një bastion të grupeve të armatosura palestineze ku Izraeli ka kryer operacione ushtarake.

Kjo deklaratë vjen pasi forcat e sigurisë së Izraelit kryen një operacion në kampin e refugjatëve, Xhenin, më 19 qershor, duke lënë të paktën shtatë palestinezë të vrarë dhe 91 të tjerë të lënduar. Në mesin e viktimave ishin dy fëmijë, ndërsa edhe shtatë ushtarë izraelitë u plagosën.

SHIKONI EDHE: Izraeli shton prezencën në Bregun Perëndimor, pas sulmit që vrau katër civilë

Ushtria izraelite vendosi forca shtesë më 21 qershor në Bregun e pushtuar Perëndimor, pas një sulmi që vrau katër izraelitë. Sulmi vdekjeprurës në vendbanimin Eli në Bregun Perëndimor u krye nga dy militantë palestinezë, të cilët hapën zjarr drejt një restoranti të një stacioni karburanti.

Turk u shpreh “i tmerruar” që disa palestinezë kishin festuar vrasjen e katër izraelitëve

Të shtënat erdhën një ditë pasi shtatë palestinezë u vranë në një betejë njëditore kundër trupave izraelite në bastionin e Xheninit. Përshkallëzimi i dhunës është shndërruar në një test për qeverinë e djathtë ekstreme të Izraelit dhe ka nxitur thirrje për operacion të gjerë ushtarak në Bregun Perëndimor.

OCHR-ja, duke u thirrur në raportimet për një sulm më dron ushtarak izraelit pranë Xheninit, kërkoi nga Izraeli që të ndërmarrë hapa për ta minimizuar përdorimin e forcës.

“Për më tepër, çdo vdekje e shkaktuar në një kontekst të tillë nga forcat izraelite kërkon një hetim efektiv dhe, kur ka prova të mjaftueshme se ka pasur shkelje të ligjit kombëtar ose ndërkombëtar, të dyshuarit duhet të mbahen përgjegjës”, thuhet në reagimin e OCHR-së.

SHIKONI EDHE: Intensifikohen luftimet mes Izraelit dhe palestinezëve

Komisionari i Lartë i këtij autoriteti, Turk, tha se Izraeli detyrohet sipas ligjit ndërkombëtar humanitar “të garantojë rendin dhe sigurinë publike brenda territorit të pushtuar palestinez”.

Turk tha se arsyet kryesore që çojnë në dhunë duhet të adresohen urgjentisht dhe shtoi se për një gjë të tillë kërkohet vullnet politik nga Izraeli dhe palestinezët, si dhe nga komuniteti ndërkombëtar.

“Që kjo dhunë të marrë fund, pushtimi duhet të përfundojë”, tha ai.

“Njerëzit me pushtet politik e dinë këtë dhe duhet të nxisin hapa të menjëhershëm për ta realizuar këtë”.

Sipas të dhënave të OCHR-së, forcat izraelite të sigurisë kanë vrarë të paktën 162 palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar këtë vit. Gjatë vitit 2022, ishin vrarë 155 palestinezë, shifër rekorde në 17 vjetët e fundit. Edhe numri i viktimave izraelite ishte rritur, duke shënuar numrin më të madh që nga viti 2016.