“Ofertat” e partive për Kushtetutën, për pikë politike

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në Kuvend - Fotografi ilustruese nga arkivi.

Partitë politike në pushtet dhe opozitë në Maqedoninë e Veriut kanë vazhduar me “ofertat” e tyre për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, që për njohësit e çështjeve politike shihen si “taktizime për të fituar pikë politike apo rritjen e popullaritetit të tyre”.

Pas partive shqiptare, Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Aleancës për Shqiptarët, që thanë se janë të gatshme të mos marrin pjesë në një qeveri të zgjeruar, edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se është i gatshëm që postin e kreut të qeverisë t’ia kalojë VMRO DPMNE-së, nëse ajo mbështet ndryshimet kushtuese.

Ndryshimet kanë të bëjnë me preambulën, përkatësisht përfshirjen e pakicës bullgare në të, si popull shtetformues, që është kusht për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut, bazuar në marrëveshjen me Sofjen për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe dallimet historike.

Kovaçevski e bëri këtë ofertë, siç tha ai, "në interes të zbatimit të amendamenteve kushtetuese". Qëllimi, siç tha ai, është që bashkërisht të marrim vendimin për ndryshimet kushtetuese dhe të vazhdojmë rrugën drejt integrimeve evropiane.
“Shpejtësia e zbatimit është e rëndësishme duke pasur parasysh rrethanat dhe afatet, të cilat i ka caktuar vetë Bashkimi Evropian”, deklaroi kryeministri Kovaçevski në një takim me gazetarët të martën në Shkup.

SHIKONI EDHE: A do të ketë Qeveri pa parti shqiptare në Maqedoninë e Veriut?

Albert Musliu, njohës i çështjeve politike, thotë se kjo çfarë po ndodh në skenën politike tregon joseriozitetin e partive politike, në veçanti të VMRO DPMNE-së, e cila sipas tij, ka dalë me kushte që duhet t’i adresohen Bashkimit Evropian dhe jo partive në pushtet.

“Mendoj se e vetmja parti që tregon joseriozitet për momentin është VMRO DPMNE pasi që t’i parashtrosh kryeministrit Kovaçevski kusht apo kërkesë që nuk është nën kompetencat e tij, është joserioze. Që ndryshimet kushtetuese të kenë efekt të prolonguar nuk vendos Kovaçevski, por për këtë vendos Këshilli i Ministrave i BE-së. Unë mendoj se edhe kryeministri Kovaçevski është dashur t’i thotë kryetarit të VMRO DPMNE-së, Mickoski, se e pranon atë kusht, por të lutem siguroje këtë atje ku duhet dhe jo me kërkesa të njëanshme. Ndryshimet kushtetuese nuk bëhen për hir të pesë komuniteteve që duhet të përfshihen në preambulën e saj, por ato bëhen edhe për zhbllokimin e procesit eurointegrues”, vlerëson Musliu.

SHIKONI EDHE: Kovaçevski propozon Qeveri të zgjeruar për ndryshimet kushtetuese

Zyra e Bashkimit Evropian në Shkup i ka quajtur “diskutime të brendshme” qëndrimet dhe propozimet e partive për formën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese duke bërë me dije se ato megjithatë duhet të përfundojnë brenda afatit të përcaktuar në kornizën negociuese.

“Komisioni Evropian është i gatshëm ta mbajë konferencën e radhës sapo Maqedonia e Veriut të zbatojë zotimin e saj për të përfunduar ndryshimet kushtetuese të lartpërmendura, në pajtim me procedurat e saj të brendshme, në afatin e përcaktuar me kornizën negociuese”, thuhet në njoftimit e Zyrës së BE-së në Shkup.

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, gjithashtu ka thënë se kërkesa e VMRO DPMNE-së është “përtej realitetit”.

“Konkluzionet e Këshillit janë të qarta, ju duhet të bëni ndryshime kushtetuese deri në fund të procesit të skriningut për të vazhduar automatikisht me Konferencën e dytë dhe hapjen e kapitujve”, ka deklaruar Pendarovski.

SHIKONI EDHE: Qeveria e zgjeruar, "manovrim politik"

VMRO DPMNE-ja thotë se mbështetet ndryshimet kushtetuese me kusht që ato të hyjnë në fuqi pasi Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në BE, por edhe me kushtin tjetër që të formohet një qeveri e zgjedhur që do të përgatiste zgjedhjet e reja, por pa BDI-në, që e akuzon për “përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar.

Analisti Albert Musliu thotë për Radion Evropa e Lirë se VMRO-ja në vend se të bëjë kushtëzime të tilla, duhet të kërkojë vettingun e zyrtarëve që të sqarojë akuzat e saj.

“Unë jam shumë i bindur se nëse Mickoski pranon, nëse Kovaçevski pranon, atëherë edhe BDI-ja nuk do të kundërshtonte vettingun. Pra, nëse janë të përkushtuar aq shumë në luftën kundër korrupsionit, atëherë le ta pranojnë vettingun. Mendoj se ideja, të cilën e prezantoi Bujar Osmani (ministër i Punëve të Jashtme) për të angazhuar edhe përfaqësues të jashtëm për të bërë vettingun është korrekte dhe nuk ka shaka pasi nëse vijnë, ata janë objektiv dhe çdokush duhet të marrë përgjegjësinë”, thotë Musliu.

Ndryshimet kushtetuese duhet të miratohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut me dy të tretat apo me 80 nga 120 votat e deputetëve, të cilat nuk i ka shumica parlamentare andaj nevojitet mbështetja e VMRO DPMNE-së.