"Odë burrash" në Hajvali

Pamje nga darka joformale në Hajvali

Një fotografi e postuar në rrjete sociale dhe e publikuar edhe në agjencitë vendore të lajmeve ka nxitur jo pak zhurmë në Kosovë.

Bëhet fjalë për fotografi të shkrepur gjatë një takimi që udhëheqësit shtetërorë kanë zhvilluar në shtëpinë e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, në lagjen Hajvali të Prishtinës, më 4 shkurt.

Se për çfarë është biseduar saktësisht në këtë takim-darkë, në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe ata të Kuvendit, nuk dihet ende.

Kryetari i Kuvendit të Republikës, Kadri Veseli, ka thënë të hënën se “darka ishte një rutinë e takimeve, të cilat bartësit e institucioneve janë duke i bërë".

Disa protagonistë të skenës politike në Kosovë kanë thënë se takime të tilla nuk do të duhej të mbaheshin nëpër vila private, kurse mediave u është lënë hapësirë për të interpretuar prapaskenat e një takimi të tillë.

Megjithatë, ajo që bie më së shumti në sy në fotografinë e plasuar nga kjo darkë është se përbërja e institucioneve shtetërore ngjason me një odë burrash, duke qenë se e pranishme në darkë ishte vetëm ministrja e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor në Qeverinë e Kosovës, Albena Reshitaj.

Luljeta Demolli, nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, fotografinë e publikuar e cilëson si të “shëmtuar dhe të turpshme".

“Për 10-vjetorin e pavarësisë të mbetet kjo fotografi në imazh, është e turpshme. Nuk është hera e parë që po ndodh kjo. Liderëve kosovarë nuk u intereson asgjë. Të gjithë liderët në Kosovë janë patriarkalë, të gjithë qeverisin në këtë mënyrë, të gjithëve u pëlqejnë odat”, tha Demolli për Radion Evropa e Lirë.

Në Qeverinë e Kosovës janë dy ministre femra. Të dielën, në darkën te Pacolli ka munguar ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha. Përderisa aty e pranishme ishte ajo e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj.

E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, ministrja Reshitaj thotë se nuk është në rregull që një kabinet qeveritar, të ketë një ose dy femra në pozita vendimmarrëse.

“Kur kemi parasysh se në Kosovë ka shumë femra të zonja të cilat janë të gatshme të kontribuojnë edhe në politikëbërje edhe vendimmarrje, mendoj se është një dobësi në përgjithësi e shoqërisë sonë dhe konsideroj një nevojë të madhe të ndërrimit të konceptit sa i përket gjinisë femërore”, tha Reshitaj.

Imer Mushkolaj, analist për çështje politike thotë se takimi i së dielës dëshmon se në Kosovë janë burrat ata që e kanë fjalën kryesore, kurse gratë, sipas tij, shërbejnë si dekor.

“Kësaj here numri i grave po zvogëlohet gjithnjë e më shumë dhe roli i tyre, po del të jetë vetëm simbolik, sa për të arsyetuar politikanët, respektivisht këta njerëz që organizojnë takime të tilla se në takim pati edhe gra”, tha Mushkolaj.

Ai tha gjithashtu se politika kosovare ende nuk po arrin t’i ikë sindromës së “odave” si institucion.

“Kjo tregon shumë për mendësinë e këtyre njerëzve të cilët janë në pushtet dhe shumicën e vendimeve i marrin në ambiente joformale dhe në mënyrë joformale”, shprehet Mushkolaj.

Ndryshe, kabineti qeveritar përbëhet nga kryeministri, 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra dhe mbi 70 zëvendësministra. Prej tyre, vetëm dy ministri udhëhiqen nga gratë.

Your browser doesn’t support HTML5

Sa kushtojnë zëvendësministrat?

Edhe në nivelin lokal, Kosova ka gjithsej 38 komuna, dhe që të gjitha udhëhiqen nga burrat.