Odat jofunksionale të mjekëve

Ilustrim

Odat e mjekëve të Kosovës vazhdojnë të mos jenë funksionale. Një nga pengesat mbetet edhe mosbartja e kompetencave në fusha të caktuara nga Ministria e Shëndetësisë tek Odat e mjekëve të fushave të ndryshme.

Qysh në vitin 2013, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për odat. Por, funksionalizimi i tyre në tërësi ka qenë dhe mbetet problematik. Krijimi i Odave, ka nënkuptuar bartjen e disa përgjegjësive nga Ministria e Shëndetësisë te këto trupa.

Deri më tash janë themeluar pesë oda, ku bëjnë pjesë, Oda e mjekëve ajo e Stomatologëve, Oda e Farmacistëve, e Infermierëve si dhe Oda e Fizioterapeutëve.

Përgjegjësitë që odat i kanë, shtrihen në fushën e edukimit të vazhdueshëm profesional, në çështjet etike, në licencim dhe rilicencim.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili së fundmi i ka bartur kompetencat për licencimin dhe rilicencimin e profesionistëve shëndetësorë vendorë dhe edukimin e vazhdueshëm mjekësor nga Ministria e Shëndetësisë tek Oda e Mjekëve të Kosovës.

Por, marrë në tërësi ka shumë kompetenca që u takojnë këtyre odave me ligj, por që Ministria e Shëndetësisë ende nuk i ka bartur ato tek këto trupa. Kështu tha për Radion Evropa e Lirë kryetari i Odës së Stomatologëve, Kujtim Shala.

“Oda i ka pranuar gati të gjitha autorizimet. Ka mbetur kompetenca e mbikëqyrjes ligjore të procesit të specializimit, organizimit të provimeve specialistike dhe sub-specializmit. Është çudi pasi që Oda e Stomatologëve e ka të ngritur një komision për specializime, e që është jashtëzakonisht meritor e në nivel. Por, Ministria e Shëndetësisë nuk e ka treguar gatishmërinë për ta bartur këtë kompetencë tek Oda jonë”, tha Shala.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla tha se mosfunksionalizimi i plotë i odave ndër vite ka pasur të bëjë me lojëra politike. Ka qenë Ministria e Shëndetësisë ajo që nuk ka lejuar bartjen e kompetencave të cilat u kanë takuar me ligj odave, tha ai.

“Vitet e mëhershme kemi insistuar që këto oda të jenë funksionale, pra odat në përgjithësi, por ajo që mua më brengosë është se bartja e kompetencave ka shkuar shumë ngadalë. Është mirë që po barten disa kompetenca, por licencimi dhe rilicencimi i punëtorëve të huaj shëndetësorë, prap po mbetet në Ministrinë e Shëndetësisë”.

“Pra këto oda nuk kanë ende kompetenca që t’i licencojnë mjekët e huaj, e që kjo po shkon më ngadalë. Gjithmonë kemi pasur të bëjmë me lojëra politike te bartja ose mosbartja e kompetencave. Odat janë të domosdoshme dhe duhet qartësuar këto gjëra”, tha Syla.

Në anën tjetër Zijadin Gashi, kryetar i Odës së Farmacistëve tha se tashmë kanë arritur një stabilitet sa i përket kompetencave që ata i ushtrojnë.

“Oda e Farmacistëve që kur i ka marrë kompetencat e edukimit profesional të gjitha i kemi vënë në funksion dhe ne veprojmë në bazë të atyre kompetencave që i kemi marrë si përgjegjësi”, tha Gashi.

Sidoqoftë, para vitit 2013 Kosova nuk ka pasur asnjëherë Oda të Profesionistëve. Kjo është paraparë si pjesë legjislative përmbajtjesore brenda sistemit shëndetësor dhe kompetencat që do t'i ushtrojnë këto oda do ta lehtësonin punën e Ministrisë së Shëndetësisë si institucion.