Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se muajt me masa kufizimi, me qëllim të luftimit të koronavirusit, kanë rezultuar me më shumë obezitet te fëmijët, çka potencialisht mund të ndikojë në shëndetin e tyre në të ardhmen.
Në një raport të publikuar më 11 maj, Zyra evropiane e OBSH-së ka gjetur se mbyllja e shkollave dhe kufizimi i aktiviteteve mund të kenë pasur ndikim negativ për ushtrimet fizike të fëmijëve.
“COVID-19 mund të rrisë një nga trendet më shqetësuese në rajonin evropian të OBSH-së siç është rritja e obezitetit te fëmijët”, ka thënë Hans Kluge, drejtor për Evropën në OBSH.
Obeziteti dhe pesha e tepërt janë lidhur me simptoma më të rënda të koronavirusit dhe sëmundje kardiovaskulare, diabet dhe kancer.
Studimi ka gjetur që gati një e treta e fëmijëve të moshave 6 deri në 9 vjeç kanë qenë mbipeshë, në një sondazh të kryer në 36 shtete.
Ky paralajmërim vjen ndërkohë që disa studime të kryera nga Shtetet e Bashkuara deri në Evropë kanë treguar se muajt me kufizime të pandemisë dhe masat e izolimit po ashtu kanë ndikuar në shtim të peshës te të rriturit.
Ndërkohë që shkalla e infektimit po bie dhe ajo e vaksinimit po rritet, shumë shtete të Bashkimit Evropian kanë nisur të rihapen.