Organizatat e Kombeve të Bashkuara thanë se niveli i kequshqyerjes së fëmijëve në veri të Gazës është “posaçërisht ekstrem” dhe rreth tri herë më i lartë sesa në jug të enklavës palestineze, ku ka më shumë qasje në ndihma.
Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Gazën dhe Bregun e pushtuar Perëndimor, Richard Peeperkorn, tha se një në gjashtë fëmijë nën moshën 2-vjeçare në veri të Gazës përballet me kequshqyerje akute.
“Këto shifra ishin në janar. Prandaj, situata sot ka të ngjarë të jetë më e rëndë”, tha Peeperkorn.
Zëdhënësi i Organizatës së OKB-së për fëmijët, UNICEF, James Elder, tha se niveli i kequshqyerjes së fëmijëve nën moshën 5-vjeçare në veri të Gazës, ku qasja në ndihma është jashtëzakonisht e kufizuar që kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – është tri herë më i lartë sesa në Rafah, në jug të Rripit të Gazës.
Sipas tij, kjo tregon se “kur një dërgesë me ndihma shkon, nuk bënë dallim në shpëtimin e jetës”.
SHIKONI EDHE: Si mund t’i ndihmojë Gazës ndihma e SHBA-së dhe pse operacioni është i komplikuar?Në ditët e fundit, të paktën 15 fëmijë kanë vdekur si pasojë e kequshqyerjes dhe dehidrimit në spitalin Kamal Adwan në veri të Gazës, tha të dielën Ministria e Shëndetësisë në enklavën e udhëhequr nga Hamasi.
Thirrjet ndaj Izraelit që të bëjë më shumë për krizën humanitare janë rritur që nga vdekja e palestinezëve që po prisnin në radhë për të marrë ndihma në Gazë muajin e kaluar.
Autoritetet shëndetësore thanë se 118 persona u vranë, duke ia atribuuar vdekjen e tyre zjarrit izraelit. Izraelit u zotua se do të hetojë këtë rast.
Përveç kequshqyerjes, është rritur rreziku edhe nga sëmundjet ngjitëse, me nëntë në dhjetë fëmijë të moshës 5 vjeçe – afër 220.000 fëmijë – që janë sëmurë javët e fundit, tha Elder.
“Kjo shndërrohet në spiralen që ne kemi frikë: sëmundjet ngjitëse, mungesa e ushqimit, mungesa u ujit të pastër dhe bombardimet e vazhdueshme dhe diskutimet për ofensivën në Rafah, qytetit të fëmijëve”, tha Elder për gazetarët, duke iu referuar qëllimit të shprehur nga Izraeli që të çrrënjosë batalionet e Hamasit nga Rafahu ku thotë se po fshihen.
Muajin e kaluar, Izraeli intensifikoi bombardimet në Rafah, ku afër 1.5 milion banorë janë strehuar për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të Gazës.
Sipas OKB-së, çereku i popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh është buzë urisë, pas pothuajse pesë muaj luftë.
SHIKONI EDHE: OKB: Një çerek i popullsisë së Gazës është një hap larg urisëLufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pas sulmit vdekjeprurës të kryer nga ekstremistët palestinezë në jug të Izraelit, ku vranë 1.200 persona dhe rrëmbyen 250 të tjerë.
Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë tokësore dhe ajrore, që deri më tani ka lënë të vrarë mbi 30.000 persona në Gazë.